Aplikacion
Qytetarët vazhdojnë të bëjnë thirrje për protesta dhe kanë shpërthyer në rrjet në reagime kundër qeverisë, në forma të ndryshme.
Kjo duket të jetë edhe arsyeja kryesore përse bordi reagoi pa kaluar 24 orë për të ndryshuar cmimin. Megjithtë, ulja është me vetëm 4 lekë për litër, ose e papërfillshme. Nëse një qytetar do të blinte 50 litra naftë me 265 lekë për litër do të shpenzonte 13,250 lekë. Nëse do ta blinte me uljen prej katër lekësh, pra me 261 lekë për litër, do të shpenzonte 13,050 lekë, ose vetëm 200 lekë më pak. Thënë më thjesht, as 1 litër për një mbushje të plotë.
Në bursë cmimi i naftës ra sërish sot dhe ulja është me 6 përqind, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Po kaq do të duhej të ishte ulja edhe në Shqipëri. Sipas këtyre llogarive, 6 përqind e 265 lekëve është 15.9 lekë. Pra, sot në Shqipëri nafta do të duhej të shitej me 249 lekë.
Këto përllogaritje i shtojnë dyshimet për transparencën me të cilën vepron bordi. Ai është vënë nën akuzë nga opozita se po u shërben klientëve të qeverisë, si Kastrati, Eida, Gega Oil apo Alpet. Sipas opozitës, me cmimet arbitrare dhe në favor të grosistëve të naftës, bordi u ka shkaktuar shqiptarëve 300 milionë euro humbje.
Në këtë periudhë, qeveria i ka rritur arkëtimet e saj, ndërsa kompanitë grosiste të naftës nuk kanë shfaqur probleme financiare dhe pasqyrat e tyre tregojnë për aktivitet normal, pavarësisht krizës së cmimeve, të cilën, sic duket, po e përjetojnë vetëm qytetarët, bizneset dhe industria që përdor naftën. /Zoom.al