zoom

Aktualitet

Bllokim rrugësh, mbyllen shkolla! Shqipëria në orë të vështira, kjo është situata e vendit

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit gjatë orëve të fundit.

Kjo ka sjellë bllokimin e rrugës së Arbrit ndërsa vijon pezullimi në 2 shkollat në Lezhë, oborret e të cilave ishin të mbuluara nga uji një ditë më parë.

KRUJË – Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës varion deri në 15 cm. Rruga për Qafshtamë kalohet vetëm me zinxhirë. Ndërsa disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.

DIBËR – Reshjet e dendura të dëborës në zonat malore të Dibrës gjatë orëve të para të mëngjesit kanë bllokuar rrugën e Arbrit, bypass-in Qafë Murrizë. Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Tiranës të përdorin rrugën alternative, aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Aktualisht subjekti kontraktor po punon për mirëmbajtjen, pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj. Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes me shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

LEZHË – Intensiteti i reshjeve të shiut ka rënë gjatë orëve të fundit, por edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

Edhe Llogaraja është përfshirë nga reshjet e borës gjatë natës. Borëpastrueset kanë dalë menjëherë në terren duke pastruar dhe kriposur rrugën që të mos krijohen problematika në qarkullimin e mjeteve.

KORÇË-Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Korçën por nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Trashësia e borës ka arritur nga 5 deri në 15 cm në rrugën e Dardhës ndërsa vijon puna me borëpastruese për pastrim dhe kriposje. Edhe në akset rrugore nacionale dhe turistike, nuk ka probleme në rrugë.Segmentet kryesore nacionale dhe ato turistike Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë kanë qënë të hapura dhe pa probleme, është punuar gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e tyre.Në bashkinë Kolonjë gjatë natës ka patur erëra te forta dhe shira të rrëmbyeshëm, ndërsa në mëngjes borë 2-3 cm. Si pasojë ka patur dëmtime në dy shkolla, dhe po punohet për riparimin e tyre. Në bashkinë Korçë do të vazhdojë heqja e pjesës tjetër të çatisë në ndërtesën tek pazari. Ka përmirësim te furnizimit me energji elektrike, sot ka defekte sporadike ne bashkinë Pogradec fshati Jollë, ne bashkinë Devoll fshati Çipan, në bashkinë Korçë, fshatrat Kodra dhe Peshtan, të Njësisë Administrative Vithkuq. Grupet e punës janë në teren dhe po vazhdojnë nga riparimet e defekteve.

SHKODËR-Nuk ka përmirësim të situatës nga përmbytjet në Shkodër. Ende vijojnë të mbeten 1100 hektarë tokë e përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.Në rrugën e Obotit po operon një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë.

ELBASAN-Në Elbasan gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe deri tani nuk ka pasur probleme, ndërsa në zonat malore ka rënë borë në Gjinar, Labinor dhe Funari.Mjetet e borëpastrueses ndodhen ne terren. Në rruge është hedhur skore.

BOGË-Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë thirrje që drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në aksin Bogë-Theth ku ka pasur rënie orteqesh. Ndaj shoferëve është bërë thirrje që të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë për të kaluar në rrugët ku prani të reshjeve të dëborës.”Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve vazhdon rënia e orteqeve duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”- thuhet në njoftimin e ARRSH.

BERAT-Gjatë gjithë natës ka pasur reshje shiu në Berat të cilat kanë qenë nënintensitet mesatar, megjithëse, niveli i lumenjve Osum dhe Devoll ka pësuar rritje të nivelit. Deri më janë brenda shtratit, pa rrezik dalje. Në Urën e Çorodovës, niveli i lumit Osum në orën 8:15 është regjistruar niveli 0.92m (-), ndërsa në Ura e Varur Berat niveli aktualisht është 1.51m (-).Në lartësitë mbi 600 m ka prezencë të dëborës, kryesisht në zonat kodrinore Skrapar dhe Poliçan, e cila shkon deri 5 cm, por nuk ka problematika në rrugë sajë përket qarkullimit.Nuk raportohet për probleme saj përket furnizimi me energji elektrike dhe nuk ka ndërprerje. Strukturave vendore u është kërkuar te rrisin nivelin e gatishmërisë se burimeve njerëzore për çdo të papritur në orët ne vijim.