zoom

Ekonomi

Bizneset shqiptare nuk kanë më frikë inflacionin, por mungesën e punonjësve!

Besimi në ekonomi gjatë muajit qershor shënoi rritje me 0.8%, ndikuar nga rritja e besimit në të gjithë sektorët përveç atij të shërbimeve. Duket se frika e rritjes së çmimeve po rikthehet përsëri për biznesin dhe konsumatorët, pasi në maj pritej rënie çmimesh nga të gjithë sektorët. Po ashtu duket se është në rritje një tjetër frikë, ajo e fuqisë punëtore, që rezulton negative për të gjithë bizneset, përpos ndërtimit.

Bizneset e shërbimeve, që lidhen fort me sezonin turistik nuk kanë pritshmëri të larta për rritjen e punonjësve dhe për kërkesën. Në këtë sektor besimi ka rënë me 1.6 pikë përqindje.

Ndërtimi vazhdon të ketë optimizmin më të madh, ku për qershorin besimi në ekonomi u rrit me 2.2 pikë përqindje, lidhur me pritjet për rritje të kërkesës, punësimit dhe çmimeve.

Besimi në sektorin e industrisë u rrit me1.2 pikë përqindje në muajin qershor ndikuar nga parashikimet për kërkesën. Industria pret rënie të punësimit, çmimeve dhe aktivitetit.

Për bizneset e tregtisë, besimi u rrit me 0.7 pikë përqindje në të njëjtin muaj, ndikuar nga vlerësime shumë optimiste mbi ecurinë e punësimit në të ardhmen të biznesit. Punësimi pritet në rënie.

Treguesi  i  besimit  konsumator rezultoi  i  përmirësuar  me  rreth  0.6  pikë  përqindje në muajin qershor. Konsumatorët tregojnë se janë gati për blerje në shuma të mëdha aktuale dhe në të ardhmen. Ata presin rënie të çmimeve.