zoom

Art & Kulturë

Biblioteka Kombëtare, në gjendje kritike. Gati plani për rikonceptimin e saj

Së shpejti qeveria do të ndërhyjë në godinën e Bibliotekës Kombëtare, për ta rikonceptuar atë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë një seance dëgjimore në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pranohet se gjendja aktuale e godinës është kritike, për shkak të mungesës së hapësirës së nevojshme për të ruajtur materialet.

“Një situatë e rëndësishme për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë që është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe që kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet dhe për të gjithë inventarin, thesarin që kemi në bodrumet e këtij institucioni ku ne po punojmë për të pasur një qasje tepër kreative në kuptimin ekonomik të fjalës, një nismë të re që kemi bashkë me Bashkinë e Tiranës dhe me shoqërinë që posedon një pjesë të këtij aseti, ne të kemi një marrëveshje të re që do të na bënte që të dilnim me më shumë metra me një zgjidhje përsa i përket krizës që ka kaluar biblioteka shqiptare në vite”, tha Gonxhja.

Sipas ministrit, po mendohet që në shërbim te Bibliotekës Kombëtare të vendoset godina e Pallatit të Kulturës.

“Ne duam që të jetë e vizitueshme dhe të jetë një objekt historik ku do të kemi fondin historik. Biblioteka e re kombëtare do të jetë në shërbim të shumë moshave me shumë kategori. E gjitha kjo do të zhvillohet në një godinë të re që do të vijë si rezultat i një qasje kreative ekonomike”, u shpreh ministri.