zoom

Aktualitet

“Bërtiste: Po vdes’”- Ra në pusetë në Manhattan, humb jetën 56-vjeçarja shqiptare (Emri)

“Bërtiste: Po vdes’”- Ra në pusetë në Manhattan, humb jetën 56-vjeçarja shqiptare (Emri)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Manhattan, ku një grua me origjinë shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur mirëmbajtjeje në zonën e Fifth Avenue në New York City.

Sipas policisë amerikane, incidenti ndodhi pak para mesnatës së të hënës. Efektivët iu përgjigjën një telefonate emergjente dhe, pasi mbërritën në vendngjarje, gjetën gruan pa ndjenja në fund të pusetës, rreth tre metra të thellë.

Viktima u identifikua si Donika Gocaj, 56 vjeçe, banuese në Briarcliff Manor, New York. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Një dëshmitar deklaroi për mediat amerikane se kishte dëgjuar britma nga vendi i ngjarjes, ndërsa gruaja thërriste: “Po vdes”.

Ndërkohë, kompania energjetike Con Edison bëri me dije se, pas verifikimit të pamjeve filmike, dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur nga një kamion vetëm pak minuta para aksidentit fatal.

“Rreth 12 minuta më vonë, personi i përfshirë në incident parkoi automjetin pranë zonës”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë për CBS.

Con Edison shtoi se raste të tilla janë tepër të rralla, por kapakët e puseteve mund të lëvizin si pasojë e kalimit të automjeteve të rënda.

Familjarët e viktimës thanë për mediat se ende nuk arrijnë të kuptojnë se si një tragjedi e tillë mund të ndodhte në një nga zonat më të frekuentuara të Manhattan-it.