zoom

Politikë

Berisha zgjeron mbështetjen në grup, i merr Bashës 10 deputetë

Krahas zgjerimit të mbështetjes në bazën demokrate, ish-kryeministri Sali Berisha duket se po fiton teren çdo ditë edhe në forumet dhe strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokratike.

Ai ka mundur që në këto dy muaj betejë për rikthimin e sovranitetit në PD dhe largimin e Lulzim Bashës, ta godasë jo pak këtë fundit edhe në atë që konsiderohet si pika më e fortë e tij, grupin parlamentar.

Teksa data për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar po afron, Berisha ka mundur të sigurojë mbështetjen e 10 deputetëve demokrat, duke e lënë Bashën me vetëm 41 të tillë.

Belind Këlliçi, që mban edhe postin e Forumit Rinor Demokrat, është deputeti më i fundit nga radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që ka dalë në krahë të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Të parët që dolën kundër Bashës dhe pro Berishës ishin deputetët Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehu. Ata jo vetëm që e kritikuan hapur kryedemokratin për vendimin e Sali Berishës, por u bën pjesë e përhershme e çdo foltoreje që ka mbajtur lideri historik i së djathtës në këto javë.

Pas tyre, “Foltores” iu bashkua edhe deputeti Bujar Leskaj, të cilit Basha i ka besuar edhe postin e drejtuesit politik të këtij qarku.

Një tjetër figurë e rëndësishme nga radhët e grupit parlamentar të PD-së që iu bashkua Berishës, ishte edhe Edmond Spaho, që më parë ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të kësaj force.

Listës së mbështetësve të Berishës nga radhët e grupit iu bashkua edhe deputeti i Fierit, Luan Baçi, ai i Elbasanit, Luçiano Boçi, kryetarja e Lidhjes së Gruas Demokrate, Albana Vokshi dhe ish-bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.

 

Deputetët që mbështesin Berishën

 

Edi Paloka

Flamur Noka

Tritan Shehu

Bujar Leskaj

Luan baçi

Oerd Bylkbashi

Edmond Spaho

Albana Vokshi

Luçiano Boçi

Belind Këlliçi