Aplikacion
Ky është takimi i tretë që ish-Kryeministri do të zhvillojë me bazën e Partisë Demokratike, pas dy tubimeve të para që zhvilloi në Tiranë dhe Fier. ABC mëson se për të pritur Sali Berishën në Vlorë janë të pranishëm kreu i PD-së në këtë qytet Genc Deromemaj dhe deputeti Bujar Leskaj. Kujtojmë se ky i fundit pati edhe një përplasje me Lulzim Bashën pas përjashtimit që i bëri Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së. Po ashtu i pranishëm është edhe Bujar Nishani, edhe ky një zë kundër Bashës në PD.
Kujtojmë se Berisha ka kundërshtuar vendimin e Bashës për largimin e tij nga grupi parlamentar, duke e konsideruar atë “thikë pas shpine”, ndërsa ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Nga ana e tij Basha ka theksuar se nuk do të ketë asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PD-së duke i refuzuar kështu Berishës mundësinë.
Mesazhe të prera dhe të qarta ka dhënë edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, për Berishën, pas takimit të zhvilluar në selinë blu me kryedemokratin Lulzim Basha.
Kryediplomatja amerikane vuri theksin te zhvillimet e fundit në selinë blu, duke thënë se duhet të ketë një PD të fortë dhe të bashkuar dhe që të ecë përpara.
Me një mesazh të nënkuptuar, ambasadorja Kim iu drejtua dhe demokratëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, teksa deklaroi se Partia Demokratike nuk mund të ecë përpara, nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën, ndërsa shtoi prerë se “ata që synojnë të vendosin SHBA kundër popullit shqiptar, e kanë gabim”!