zoom

Aktualitet

Berisha: Rama po mendon si të kalojë nga Kryeministër në President

Sali Berisha e cilëson skemë mafioze procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se me anë të kësaj skeme mafioze po kërkon një kandidat që në prag të disfatës së tij elektorale të japë dorëheqjen dhe t’i lëshojë vendin Ramës. Kjo, tha Berisha, nuk ka për të ndodhur kurrë. “I them harroje këtë skemë, se në mënyrë absolute nuk pranohesh president republike”, theksoi ai.

“Si mund ta karakterizojmë me një fjalë këtë proces nëse javën e kaluar këtu folëm me fakte, argumente të pakundërshtueshme që Kongresi i PS ishte i ngjashëm me një kongres të Cosa Nostras, unë mund t’ju them ju se procesi i zgjedhjes së presidentit është shndërruar gjatë javës që po kalon në një proces tipit të Cosa Nostras. Edi Rama, për të zgjedhur Presidentin ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfa sekretë. A e keni marrë vesh se cili ka dalë nga zarfat emri më i përfolur? A keni dëgjuar ndonjë emër? Sipas statistikave të Edi Ramës, 2/3 e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Ti nuk e njeh, ke të drejtë që habitesh, po çfarë mund të presësh tjetër. Në një kohë kur emri i saj nuk figuron në asnjë zarf, prandaj them unë zgjedhje si Cosa Nostra. Prisni kur të vijnë zarfat e shoqërisë civile. Do t’jua them emrin javën tjetër”.

“U ndala në këtë moment për t’ju thënë sa qesharak, jo serioz, jo transparent e bëri Edi Rama një proces kushtetuese. Po kërkohet kandidati që në prag të disfatës së tij elektorale të japë dorëheqjen dhe t’i lëshojë vendin Ramës, çka nuk do ndodhë kurrë. Dhe i them harroje këtë skemë, se në mënyrë absolute nuk pranohesh president republike, me skema mafioze”.

Sipas Berishës, Rama “po mendon si të kalojë nga Kryeministër në President. I them sot që ajo nuk do ndodhë”./Zoom.al