zoom

Politikë

Berisha: Jam rikthyer si Kombëtarja, nuk bëj logo të re partie, s’ka protestë ditën e Samitit

Sali Berisha nuk dha ndonjë qëndrim se çfarë do të bëjë ai dhe pjesa tjetër e deputetëve të opozitës që kanë bërë kërkesë për Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar për reformën zgjedhore në një kohe që Gazment Bardhi që ka bërë kërkesën është përjashtuar zyrtarisht edhe nga protokolli i Kuvendit si kryetar i grupit të PD-së pas kërkesës së Bashës.

“Me këtë akt të shëmtuar, Edi Rama pasi ka grabitur dhe plaçkitur qindra, mijëra vota, tregon se edhe ata 620 mijë që votuan kundër tij, është i gatshëm të shkelmojë mbi votat e tyre dhe të mos njohë përfaqësitë e këtyre votave në parlament. Është i gatshëm të përdorë pseudo-opozitën për qëllimet e veta dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin.

Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj.

Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri… Por kjo nuk i intereson, i intereson pengu i tij Brava me Alibashën”, tha ai.

Berisha tha se kësaj here nuk do të planifikojë protestë ditën e Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet të hënën në Tiranë.

“Nuk kemi parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën.

Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të OSBE, BE dhe Këshillit të Europës.

Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv profesional që ata kanë publikuar”, tha ai. Ai gjithashtu sqaroi zërat që vijnë nga grupi i deputetëve që e mbështesin për një forcë të re politike.

“Së pari, çdo deputet pa përjashtim ka të drejtë dhe ka tagër të diskutojë për PD-në. Kjo është gjëja më normale.

Së dyti, dua të jem i hapur me ju, jo vetëm në atë mbledhje, por edhe në disa mbledhje të tjera, ekzistojnë mendime që përkarshi bllokimit, plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD mund të gjejë modalitete të tjera ligjore.

Gjë e cila është normale si diskutim, por mendimi im është ky se para një padrejtësie, njeriu nuk tërhiqet.

Ne do bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën.

Por e drejta është me ne. Dhe ju e shihni, ligji është taksativ që Gjykata e Lartë duhej ta kthente përgjigjen brenda 29 ose 30 ditësh dhe kjo është e prerë.

Por Gjykata e Lartë, e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg.

Sepse nuk ka proces më të padrejtë…”, tha ai. Berisha krahasoi gjithashtu ekipin e Kombëtares me rikthimin e tij në politike

“…Rikthimi i Sali Berishës është një realitet jashtëzakonisht i veçantë.

Gëzohem shumë që po rikthehet edhe kombëtarja jonë.

Rikthimet janë rigjallërime”.

Berisha gjithashtu paralajmëroi për lëvizje popullore por pa datë.