Aplikacion
Ministeriali i Energjisë i Bashkimit Europian ka marrë një vendim ndëshkues ndaj qeverisë shqiptare lidhur me projektet dhe politikat në sektorin energjetik. Me vendimin e datës 18 dhjetor, Bashkimi Europian konstaton se Shqipëria ka dështuar të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Sipas dokumentit zyrtar, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar kuadrin e nevojshëm ligjor, rregullator dhe administrativ për t’u përafruar me direktivën e Bashkimit Europian që lidhet me përgatitjen ndaj rrezikut në sektorin e energjisë elektrike, duke sjellë pengesa serioze në funksionimin e këtij sektori strategjik.
Vendimi i Ministerialit të Energjisë lidhet, sipas interpretimeve politike, me disa projekte të debatuara energjetike, përfshirë TEC-in e Roskovecit, ku ka dyshime për përfshirjen e një korporate ruse, projektin e anijeve energjitike në Vlorë, si dhe problematika të lidhura me linjat e interkonjeksionit energjetik europian, për të cilat janë ngritur pretendime për marrëveshje korruptive.
Bashkimi Europian i ka kërkuar qeverisë shqiptare që gjatë vitit 2026 të raportojë mbi masat konkrete që do të ndërmarrë për korrigjimin e shkeljeve të konstatuara në politikat energjetike. Në vendim theksohet se Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ndrequr shkeljet e identifikuara dhe për të garantuar përputhshmërinë me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë, duke raportuar rregullisht në Sekretariat dhe në Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë.
Në rast se shkeljet nuk korrigjohen deri më 1 korrik 2026, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë pritet të nisë procedurën e parashikuar nga neni 92 i Traktatit, e cila parashikon pezullimin e disa të drejtave të Shqipërisë, përfshirë të drejtën e votimit dhe përjashtimin nga mbledhjet apo mekanizmat vendimmarrës të këtij forumi.
Tensione në tubimin para Kuvendit. Protestuesit heqin gardhin metalik, hedhin vezë e domate