zoom

Bota

BE dështon të bllokojë përdorimin e naftës ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën as sot të gjejnë një marrëveshje për një paketë të re sanksionesh kundër naftës ruse, ndërsa takimet për këtë çështje pritet të vazhdojnë dhe nesër gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.

“Ende nuk jemi në atë pikë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pas takimit të sotëm.

Nga ana tjetër Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se marrëveshja e shumëkërkuar për paketën e gjashtë të sanksioneve po afrohet, por pa dhënë hollësi tjera.

Ndërkohë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke folur në samitin evropian në Bruksel, i bëri thirrje Evropës “të qëndrojë e bashkuar dhe të mos përçahet” dhe kërkoi që sanksionet e reja ndaj Rusisë të miratohen “sa më shpejt të jetë e mundur”. Zelensky iu drejtua të 27 liderëve dhe nuk pati asnjë seancë pyetjesh dhe përgjigjesh gjatë fjalimit.

Disa vende anëtare të BE-së, me në krye Hungarinë janë shprehur kundër embargos ndaj naftës ruse, duke kërkuar nga BE që më parë të jap ndihma për vendet e tyre nëse pranojnë një propozim të tillë.