zoom

Lajme

Basha: Rezoluta e Ramës kundër korrupsionit, barcaletë! Vetting pasurie 200 politikanëve kryesorë

Kryetari i PD-së që ka ende vulën, Lulzim Basha, komentoi rezolutën e prezantuar nga kryeministri Rama kundër korrupsionit. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se  kjo është qesharake.

Demokrati shtoi se Parlamenti duhet të kalojë ligjin për Vettingun e politikanëve, që 200 politikanët më të rëndësishëm të vendit të kalojnë procesin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë.

“Pasi janë kapur në flagrantë në dhjetëra afera, papritur na ofrojnë rezolutë për të luftuar korrupsionin. Kjo rezulutë është si barcaletë. Në kullat e Tiranës dhe resortet e bregdetit pastrojnë para. Paratë pastrohen edhe jashtë vendit. Rezoluta nuk do të ofrojë asgjë për të ofruar këtë rendje marramendëse drejt pasurimit të paligjshëm”, tha ai.

Teksa më tej shtoi se vetëm pastrimi mund të ishte e ardhmja e vendit dhe theksoi gjendjen e mjeruar nga korrupsioni.

“SPAK nuk do të ekzistonte, nëse nuk do të kishim këtë korrupsion kaq të lartë. Qeveria ka shkatërruar shpresën e shqiptarëve për të ndërtuar jetë normale. Rama erdhi në pushtet duke premtuar se do të luftojë korrupsionin, ndërsa sot Shqipëria është zhytur në korrupsion tepër të madh. Qeveria të votojë ligjin për Vettingun për politikanët. 200 politikanët kryesorë të vendit të vihen në veting, të hetohen kontaktet e tyre dhe pasuria”, tha Basha. /ZOOM.AL/