zoom

Politikë

“Basha ik, Rama ik”, kuksianët bllokojnë Rrugën e Kombit/ Pritet me brohorima Berisha

Pasditen e së martës në orën 17:30 mbahet në Pallatin e Kulturës në Kukës “Foltorja” e radhës e liderit historik të demokratëve Sali Berisha. Një numër i konsiderueshëm simpatizantësh janë mbledhur tashmë në shesh për të pritur ish-kryeministrin, por nuk ka qenë i vogël numri i demokratëve që e kanë pritur Berishën tek trau i Rrugës së Kombit.

Me flamurë në duar dhe duke brohoritur “Berisha, Berisha”, ose “Rama ik, Basha ik”, një numër i madh qytetarësh “pushtoi” automjetin e Sali Berishës ndërsa ky i fundit zbriti për t’i përshëndetur.

Me flamujt kombëtarë dhe ata të Partisë Demokratike në duar, qytetarët bllokuan rrugën, ndërsa Policia Rrugore mundohet të sigurojë qarkullimin e automjeteve.

Disa ditë më parë Sali Berisha organizoi “Foltoren” e Gjirokastrës ku adresoi ndër të tjera edhe çështjen e krizës së paralajmëruar energjitike dhe nuk nguroi që ta cilësonte sërish liderin e PD, si një peng të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, në PD situata duket e tensionuar pasi vetëm dje kryetari i partisë i bëri të ditur Flamur Nokës se është shkarkuar nga pozicioni si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ndërsa e paralajmëroi se mund ta përjashtojë edhe nga Grupi Parlamentar i PD –së.