zoom

Ekonomi

Banka Kombëtare Tregtare pranon blerjen e bondeve ruse të konsideruara me risk të lartë

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka pranuar se ka blerë bonde ruse, të cilat konsiderohen me risk të lartë.
Duke iu përgjigjur interesit të Zoom.al mbi marrëdhëniet e BKT me Rusinë dhe aktivitetin e saj atje, banka tha se kishte disa bonde ruse, të blear para luftës, sipas saj të provigjonuara tërësisht.

“Ne nuk kemi investuar më në bonde ruse pas luftës, sepse kemi marrë vendimin e menjëhershëm të ndalimit të të gjithë aktiviteteve të investimit me Rusinë, në përputhje me sanksionet e vendosura. Ne kemi disa bonde Ruse të blera para luftës të cilat janë provigjionuar totalisht. Gjithashtu në portofolin tonë ne kemi bonde të shteteve të ndryshme. I gjithë portofoli i bondeve është provigjonuar sipas standardeve financiare të raportimit të Bankës së Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare.”- tha BKT për Zoom.al.

Burime konfidenciale të Zoom.al thanë se BKT ka humbur shuma të mëdha parash në tregun rus që nga nisja e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Banka Kombëtare Tregtare nuk dha përgjigje nëse ka financime në kompani të lidhura me pronarin, për kredi që ai ose palë të lidhura me të kanë marrë në bankën me pronar “Çalik Holding”.
E pyetur nëse po financon BKT kompani të lidhura direkt ose indirekt me pronarë jashtë Shqipërisë, ajo dha një përgjigje evasive, duke shmangur financimet për kompanitë e lidhura me pronarët.

“BKT financon vetëm kompani të cilat kanë vendin e rezidencës në Shqipëri, të cilat mund të kenë pronarë vendas ose të huaj”, -tha BKT.

Një burim i pakonfirmuar i tha Zoom.al se mes këtyre kompanive që kanë vendin e rezidencës në Shqipëri dhe që janë financuar nga BKT, të paktën njëra prej tyre është e lidhur me kompaninë pronare të BKT. Përgjigja evazive e BKT i shton dyshimet dhe Zoom.al po investigon mbi këtë çështje. /Zoom.al