zoom

Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Forcimi i lekut i ka kursyer ekonomisë 92 mld

Forcimi i lekut ka ndikuar në uljen e inflacionit në vend.

Kështu thekson Banka e Shqipërisë në një analizë rreth faktorëve që kanë sjellë forcimin e lekut dhe efekteve të këtij forcimi në ekonomi, në raportin e fundit të politikës monetare.

Sipas vlerësimeve të BSH-së, në mungesë të forcimit të kursit gjatë dy viteve të fundit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë përqindje më e lartë.

“Niveli më i lartë i inflacionit do të diktonte një normalizim më agresiv të qëndrimit të politikës monetare nga ai që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë, duke rritur kostot e financimit për bizneset dhe familjet shqiptare.

Në këto rrethana, inflacioni më i lartë dhe kushtet më të shtrënguara të financimit do të kishin një ndikim frenues mbi aktivitetin ekonomik.

Për vitin 2022, kostoja ekonomike e këtij normalizimi më të shpejtë të politikës monetare, do të ishte 32 miliardë lekë (ose më shumë se 1% e PBB-së). Për vitin 2023, kostoja ekonomike shtesë e këtij normalizimi do të ishte rreth 60 miliardë lekë, ose më shumë se 2.5% e PBB-së”, thuhet në raport.

Sipas BSH-së, forcimi i kursit nominal të këmbimit gjatë tremujorëve të fundit ka ardhur kryesisht si rezultat i forcimit të trendit të kursit real të këmbimit si dhe i rritjes së besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Inflacioni pritet të normalizohet vitin e ardhshëm

Parashikimet për të ardhmen flasin për rritje të aktivitetit ekonomik dhe reduktim të mëtejshëm të inflacionit gjatë dy viteve në vijim.

Raporti thekson se rritja ekonomike pritet të jetë më e ngadaltë gjatë 2023-shit, në reflektim të dobësimit të ekonomisë evropiane, reduktimit të stimulit monetar dhe konsolidimit fiskal ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% vitin e ardhshëm.

Ngadalësimi i tij pritet të nxitet fillimisht nga rënia e çmimeve në tregjet globale dhe mbiçmimi i kursit të këmbimit.

“Në një horizont më të gjatë kohe, normalizimi i politikës monetare dhe vendosja e një raporti më të drejtë midis kërkesës dhe ofertës në ekonomi pritet  të reduktojnë presionet  e brendshme  inflacioniste,  duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv”, thekson ai.