Aplikacion
Kulla do të ndërtohet në bashkëpunim me pronarin e BKT, Ahmet Çalik, i cili do të jetë në rolin e aksionerit, si pronar i truallit. Ai do të japë tokën ku ngrihen sot zyrat e BKT për kullën 54 kate, duke i ndryshuar kështu destinacionin për të cilin e privatizoi nga tokë shtet. Pas emrit të “Bami Holding” ka dyshime se qëndron kompania “Kastrati Group”. “Bami Holding”, ish “Bami sh.p.k” është një kompani ndërtuese, por nuk e zotëron kapitalin e duhur për të ndërtuar një kullë 54 metrash, e cila përllogaritet në 100 milionë euro.
Në një vështrim të shpejtë në QKB, të ekstraktit të aktivitetit të subjektit tregtar në shumëzëra biznesi, sipas përshkrimit prej mbi 70 faqesh dhe investimeve apo projekteve tenderuese, vihet re se shoqëria në fjalë, ish-“Bami sh.p.k”, e themeluar që prej vitit 1999, ka një kapital të përgjithshëm prej pak më shumë se 450 milionë lekë. Këto në aksione 100% të vetë Besnik Bamit, që figuron pa ortakë dhe me kapital të ndarë konkretisht pak më shumë se 300 milionë në para dhe mbi 144 mln në natyrë.
Me një kapital të tillë, si do ta ngrejë shoqëria ndërtuese në fjalë “Bami Holding”, një kullë në qendër të kryeqytetit?
Të dhënat e kompanisë “Bami Holding” ngrejnë pikëpyetje të mëdha. Ato i shtojnë dyshimet se pas saj ndodhet një tjetër kompani e madhe me likuiditet. Ndërtimi është përfolur prej kohësh si një prej sektorëve ku lulëzon pastrimi i parave. Por një tjetër opsion për financimin e saj është marrja e një kredie nga bankat, ku BKT duhet të jetë në krye të listës, për shkak se në ndërtimin e kullës “Barcelona” Bami është në ortakëri me pronarin e BKT, Ahmet Çalik, që në këtë projekt futet me një kompani të krijuar në SHBA, “Delta Real Estate Development”, finacimi nga vetë banka nuk do të përbënte ndonjë problem.
Megjithatë, edhe vetë BKT duket se ka probleme me likuiditetin. Ekspertë të ekonomisë shpjeguan një ditë më parë për Zoom.al se oferta e re e BKT për të rritur normën e interesit të depozitave është një lëvizje që bëhet zakonisht nga bankat për të marrë sa më shumë para nga klientët kur ato u mungojnë.
Nuk është e qartë nëse oferta e re e BKT është e lidhur me ndërtimin e kullës, ku kjo bankë është bërë ortake, duke ofruar truallin që dikur ka qenë i shtetit. Por trekëndëshi i finacimit duket se qëndron mes kreditimit, injektimit të parave nga një kompani më e fuqishme se “Bami Holding” dhe që fshihet pas kësaj, ose nga burime të treta me aktivitete të panjohura apo të dyshimta. /ZOOM.AL/