zoom

Aktualitet

Balla propozon ndryshimin e Kodit Rrugor, sa do të jetë vlefshmëria e patentave të shoferëve

Nëse jeni shofer i ri dhe sapo keni marrë patentën, deri në tre vite nuk do të mund të lëvizni në autostradë më shumë se 80 kilometër në orë. Propozimi është i disa deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë depozituar në Kuvend kërkesën për disa ndryshime në Kodin Rrugor.

Shpejtësia maksimale në një autostradë në vendin tonë është 110 km në orë. Me këtë shpejtësi për shembull lëvizet në bypass-i i Fierit. Por nëse ndryshimet miratohet, shoferët e rinj do të duhet të ecin me të paktën 30 kilometër më pak.

Ulje të shpejtësisë për këtë kategori shoferësh është parë të bëhet edhe për rrugët interurbane kryesore. Për shembull, siç është ajo Elbasan-Tiranë, në të cilën maksimalja e lëvizjeve nga 90 km orë aktualisht, pritet të ulët në 70 km në orë. Ky nuk është ndryshimi i vetëm që propozohet në Kodin Rrugor.

Shoferët e autobusëve, kamionëve apo transportit publik mund të drejtojnë mjetin, deri në moshën 70-vjeçare, nga 65 që është aktualisht. Ky ndryshim bëhet për të përshtatur moshën e pensionit që shkon në proporcion rritjeje. Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për rinovimin e patentave. Për drejtuesit e veturave, nëse deri më tani afati maksimal është 10 vjet për deri në moshën 50-vjeçare dhe i limituar akoma më shumë deri në 70 vjeç; me ndryshimet e reja parashikohet që deri në moshën 70 vjeçare, të bëhet zgjatje deri në 15 vite.
Kodi Rrugor, për herë të fundit në Shqipëri është ndryshuar në Qershor të vitit 2021. Pjesa më e madhe e ndryshimeve u karakterizua tek rritja e vlerave të gjobave, të cilat u shumëfishuan. Ndryshimi i Kodit Rrugor kërkon shumicë të cilësuar 3/5, domethënë 84 vota, të cilat Partia Socialiste nuk i ka në Kuvend. Nëse eksponentë të opozitës do të japin pëlqimin për këto ndryshime mbetet për tu parë.