zoom

Aktualitet

“Babai im, babi im”- Vogëlushja e Roan Brahimit dëshmitare e atentatit mafioz ndaj të atit

Një atentat mafioz qëndron pas vrasjes së 32-vjeçarit Roan Brahimi në Bajron, Athinë mbrëmjen e së enjtes. Të gjitha provat e deritanishme tregojnë për një pritë drejt vdekjes.

Gjithçka ka ndodhur pak pas orës 21:30 të së enjtes në rrugën Messolongiou kur viktima ndodhej në makinë me gruan e tij, Katerina Beqo.

Papritur një motoçikletë ka mbërritur pranë makinës dhe një person ka nxjerrë një armë duke qëlluar me breshëri drejt automjetit

32-vjeçari ka ndërruar jetë nga të shtënat, ndërsa gruaja raportohet se është plagosur lehtë.

Roan Brahimi dhe partnerja e tij raportohet se jetonin pranë vendit të ngjarjes. Ndërkohë dëshmitar okular ka qenë edhe fëmija i çiftit që po luante aty pranë.

“Vajza ime e vogël po luante me fëmijën e tij, dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse kishte ndodhur diçka apo ishte thjesht një lojë. Vogëlushja qante dhe thoshte “babai im, babi im”, tregoi një dëshmitare.

“Dëgjuam të shtënat. E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën e tyre që po luante”, tha një dëshmitar okular, duke shtuar se çifti ishte vetëm në makinë.

Ndërsa një tjetër: “Ishin si dinamit. E pashë djalin të mbuluar me gjak”.

Kush është Roan Brahimi:

Shqiptari që u ekzekutua njihet si armik i Ervis Martinajt sepse ai u akuzua si i përfshirë në atentatin ndaj kushëririt të tij, Brilant Martinajt.

Bashkë me Brilant Martinajn humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan egërsisht.

Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Roan Brahimi është shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Lezhë dhe në Laç.

Së fundmi, ai ishte shpallur në kërkim atentatin që u bë ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klinsman Preçi, më 22 korrik 2022. Të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar, kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi dhe për pasojë ndërroi jetë Preçi.

Postime të lidhura