zoom

Slider

Australia planifikon ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç!

Qeveria e Australisë se do të prezantojë legjislacionin “lider në botë” për të ndaluar fëmijët nën 16 vjeç të përdorin mediat sociale.

Kryeministri Anthony Albanese tha se ligjet e propozuara, që do të paraqiten në parlament javën e ardhshme, kishin për qëllim zbutjen e dëmit që media sociale po u shkaktonte fëmijëve australianë.

“Kjo është për nënat dhe baballarët… Ata, si unë, janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve tanë në internet”, tha ai.

Ndërsa shumë nga detajet janë ende për t’u debatuar, qeveria tha se ndalimi nuk do të zbatohet për të rinjtë që përdorin tashmë mediat sociale.

Nuk do të ketë përjashtime në kufirin e moshës për fëmijët që kanë pëlqimin e prindërve. Qeveria thotë se barra do të jetë mbi platformat e mediave sociale për të treguar se po marrin hapa të arsyeshëm për të parandaluar aksesin.

Albanese deklaroi se nuk do të ketë ndëshkime për përdoruesit dhe se do të jetë në dorën e rregullatorit online të Australisë, Komisionerit eSafety, të zbatojë ligjet.

Legjislacioni do të hyjë në fuqi 12 muaj pasi të kalojë dhe do t’i nënshtrohet një rishikimi pasi të jetë në fuqi.

Ndërsa shumica e ekspertëve pajtohen se platformat e mediave sociale mund të dëmtojnë shëndetin mendor të adoleshentëve, shumë janë të ndarë mbi efikasitetin.

Disa ekspertë argumentojnë se ndalimet vetëm vonojnë ekspozimin e të rinjve ndaj aplikacioneve si TikTok, Instagram dhe Facebook, në vend që t’u mësojnë atyre se si të lundrojnë në hapësira komplekse në internet.

Përpjekjet e mëparshme për të kufizuar aksesin, përfshirë edhe nga Bashkimi Evropian, kanë dështuar kryesisht ose janë përballur me reagime të kundërta nga kompanitë e teknologjisë.

Dhe ngrihen pikëpyetje se si do të funksiononte zbatimi, duke pasur parasysh se ka mjete që mund të anashkalojnë kërkesat e verifikimit të moshës.