Aplikacion
Agjencia e lajmeve TASR raportoi se Fico u qëllua përpara një ndërtese në qytetin qendror të Sllovakisë, Handlova, ku ishte duke u mbajtur edhe një mbledhje e qeverisë.
Sipas gazetarëve në vendngjarje, janë dëgjuar disa të shtëna. Ai është dërguar në spital dhe sulmuesi i tij i dyshuar i atentatit është ndaluar nga policia.
Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR. Nuk dihet sa rëndë mund të jetë plagosur Fico. Ai u dërgua menjëherë në spital, raportoi TASR, duke e cituar Blahan.
Zuzana Čaputová, presidente e Sllovakisë, dënoi sulmin dhe e quajti atë “brutal”, duke kërkuar nga autoritetet zbardhjen e shpejtë të krimit. Një dëshmitar tha se pa truprojat e kryeministrit pas të shtënave që e futën atë brenda makinës dhe ikën me shpejtësi nga vendngjarja, drejt spitalit.
I arrestuari besohet se është i dyshuari që shtiu mbi kryeministrin, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga policia lokale. Zyra e kryeministrit nuk e ka komentuar rastin ende.
Mbeten të panjohura shkaqet e këtij atentati dhe rrethanat, teksa lajmi mbetet në përditësim. Handlova është rreth 180 km (112 milje) në verilindje të kryeqytetit Bratislava. /ZOOM.AL/