zoom

Ekonomi

Asnjë licencë për kriptot/”Tregu po lulëzon me paratë e krimit! Rrezikojmë piramidat”

Dy ishin problemet kryesore që ngriti deputeti socialist, Erion Braçe para kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare; licencimi i aseteve virtuale dhe vonesat në dëmshpërblimin e qytetarëve nga kompanitë e sigurimeve.

Braçe tha në Komisionin e Ekonomisë, ku Ervin Mete u thirr për të prezantuar raportin vjetor të AMF-së, se tregu i zi i kriptomonedhave po lulëzon, në një kohë që nuk ka ende asnjë subjekt të licencuar në këtë treg, megjithëse është miratuar ligji dhe rregulloret përkatëse. Sipas deputetit socialist, paratë që po qarkullojnë në këtë treg janë kriminale.

“Nuk është marrë asnjë licencë, ndërkohë që tregu i zi në asetet virtuale po lulëzon. Në këtë fushë ka marrë përmasa, është bërë i madh dhe i prin paraja e krimit të organizuar, korrupsioni vjen më poshtë”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist tha se subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet në të zezë janë shumë më përpara se policia. Për këtë arsye, ai i kërkoi AMF-së që të ndihmojë policinë dhe institucionet e tjera për të luftuar këtë fenomen.

“Nuk ka njeri këtu që mendon se policia është më e familjarizuar me tregun e aseteve virtuale. Ky treg funksionon, është goxha fitimprurës dhe i dyshuar numër një për aktivitetin e pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kërkoj nga ju që të ndihmoni policinë dhe institucionet e tjera që ta luftojnë këtë fenomen”, tha Braçe.

Nëse nuk ndërhyhet, sipas Braçes, vendi rrezikon që të përsërisë një krizë të ngjashme financiare si ajo e piramidave në mes të viteve ’90.

“Në atë kohë një copë letër kishte nga Banka e Shqipërisë, që thoshte se tregu ishte i palicencuar, ndërkohë që bankat kishin hyrë me kohë në tregun e palicencuar të fajdeve në 1995-1996. Duhet të jemi shumë aktivë në pjesën e licencimit se prandaj është bërë ligji. Duhet të jeni agresiv në këtë pjesë për të ftuar ata që janë avantgardë në këtë aktivitet. Agresivë edhe në pjesën e denoncimit”, deklaroi Braçe.

Shqetësimi i dytë i tij lidhej me stokun në fondin e detyrimeve. Sipas Braçes, prej 2018-s ky fond nuk është reduktuar, që do të thotë se kompanitë e sigurimeve nuk kanë shlyer detyrimet që kanë ndaj qytetarëve.

“Është i njëjti borxh që qarkullon, as ulet dhe as ngrihet dhe qëndron në ato parametra. Pse nuk zerohet ky borxhi që është në fondin e kompensimit? Si duhet të sillemi me kompanitë e sigurimit që t’u japim njerëzve atë që u takon. Është themelore që të paguhet borxhi. Është e drejtpërdrejt marrrëdhënie e kompanive të sigurimit me këta njerëz. Janë me vite pa i marrë. Kur do t’i marrin paratë e sigurimit këta njerëz?”, tha ai.

Një tjetër vërejtje e Braçes lidhej me fitimet e kompanive të sigurimeve. Ai citoi rastin e një kompanie, që sipas tij ka shkelur ligjin duke ulur aktivët.

“Merr kurajon të prekë aktivët për të blerë prona të patundshme dhe duheni ju ta mbikëqyrni për ta kthyer paratë në depozitat e saj. Kapërcejnë ligjin, ulin aktivet dhe bëjnë çfarë të duan, të blejnë edhe banka madje”, u shpreh ai.