zoom

Aktualitet

Arrestohet ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të televizionit për abuzim me tendera

Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit (SPAK) arreston ish- drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit për korrupsion në tendera. Bëhet fjalë për tenderin e blerjeve të pajisjeve të kanalit RTSH Agro me vlerë limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh). Së bashku me Gëllçin në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia.

Këshilli i ri Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar liroi në maj të këtij viti nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, pasi i mabroi mandati i qëndrimit në detyrë.

Këshilli Drejtuesi i RTSH votoi me 8 vota pro shkarkimit të  Thoma Gëllçit, dhe miratoi që drejtimi t’i kalojë zv.drejtorit Martin Leka.

Njoftimi i SPAK

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë procedim rezultoi se:

Në procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Postime të lidhura