zoom

Aktualitet

Ardhja “Air France” në Shqipëri, përse është lajm i keq?

“Për ne është një nder i madh që në Aeroportin e Tiranës të kemi “Air France-KLM”, që është ambaasadori më i mirë i ekselencës franceze”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sot teksa priti në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” ardhjen e gjigandit francezo-holandez të fluturimit.

Natyrisht që shtimi i kompanive që operojnë në Shqipëri është një gjë e mirë sa i përket diversfikimit të linjave ajrore dhe mundësive që krijohen për udhëtarët për të kryer fluturime të drejtpërdrejta dhe me më pak kosto.

Por në fakt ardhja e “Air France-KLM” në Shqipëri nuk është vërtetë një lajm i mirë, siç e konsideron ministrja Balluku.

Dhe kjo për disa arsye:

Së pari vetë përfaqësuesi i kompanisë, në krahë të ministres Balluku, tha se ishin në Shqipëri thjesht për të testuar tregun dhe nëse kjo provë do të rezultonte e suksesshme atëherë ata do të vendosin nëse do të qendrojnë në Shqipëri apo jo.

Së dyti, kompania “Air France-KLM” vjen në Shqipëri në momentin e saj më të keq financiar. Kjo pasi siç raportojnë mediat ndërkombëtare “Air France-KLM” është nën presion të një borxhi të madh që i ka qeverisë franceze të marrë gjatë kohës së pandemisë, ku ishte në prag falimenti.

Sipas “Bloomberg”, “Air France-KLM” planifikon të shesë rreth 2.26 miliardë euro aksione të reja për të mbështetur bilancin e saj dhe për të shlyer një pjesë të ndihmës shtetërore që e ndihmoi kompaninë t’i mbijetojë krizës Covid-19.

“Të ardhurat nga emetimi i të drejtave do të përdoren për të rimbursuar rreth 1.7 miliardë euro të obligacioneve vartëse të emetuara në prill të vitit të kaluar dhe të mbajtura nga qeveria franceze, dhe për të reduktuar më tej borxhin, bëri të ditur para pak ditësh linja ajrore franko-holandeze.

Një tjetër tregues i vështirësisë financiare të kësaj kompanie është edhe rënia e vlerës së aksioneve në bursat ndërkombëtare.

Zoom.al meson se gjatë muajit maj aksionet e “Air France-KLM” ishin 6% më të ulëta, rënia më e madhe që nga marsi, duke ulur fitimet këtë vit në 5.4%.

Për të përmirësuar gjendjen financiare të ekonomisë dhe për ta shpëtuar nga rrënimi i mëtejshëm, pritet ardhja e blerësve të rinj të aksioneve nga të cilët shpresohet të paguhen borxhet.

Së treti “Air France-KLM” vjen në Shqipëri në një kohë kur thuajse në të gjithë botën kompanitë po hasin probleme me menaxhimin e pasagjerëve dhe fluturimeve, çka ka sjellë vonesa të mëdha në udhëtime dhe rënie të theksuar të cilësisë së shërbimit.

Financial Times raporton se “Air France-KLM” është një nga kompanitë që ka anuluar një numër të madh fluturimesh dhe ka ndërprerë shitjen e biletave për shkak se nuk arrin të përballojë në kohë dhe me cilësi udhëtimet e programuara. Kjo si pasojë e mungesës së stafit, një pjesë e të cilit u largua nga puna gjatë pandemisë.

Kjo mund të bëhet shkak që edhe “Air France-KLM” të ndjek shembullin e “Wizz Air”, i cili jo pak herë i ka lënë qytetarët shqiptare me orë të tëra duke pritur në aeroportet e botës.

Së katërti, kompania pritet të aplikojë çmimeve të larta që do të jenë të papërballueshme për qytetarët shqiptarë.

Shefi i Air France-KLM në Mbretërinë e Bashkuar i tha BBC para pak kohësh se kompania po përballet me kosto dukshëm më të larta të karburantit dhe aeroportit.

Ndaj ai paralajmëroi se ekziston një pritshmëri që biletat e linjës ajrore mund të bëhen më të kushtueshme./Zoom.al