zoom

Aktualitet

Apeli lë në fuqi sekuestron e pasurive me vlerë mbi 3 mln euro të Oltion Bistrit dhe 7 të tjerëve

Gjykata e Posaçme e Apelit la sot në fuqi sekuestron për pasuritë e ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, i arrestuar prej një viti në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza” në Shkodër dhe Lezhë.

Bëhet fjalë për një pasuri me vlerë mbi 3 mln euro, e që përfshin 22 dyqane, disa garazhe, 10 apartamente, makinë dhe prona të tjera. SPAK e ka ende çështjen e pasurisë nën hetim, sikurse edhe atë penale, ku Bistri akuzohet se furnizonte grupet kriminale me informacione, kundrejt pagesave. Lidhja më e ngushtë e tij ishte me biznesmenin e arrestuar Pëllumb Gjoka.

I njëjti vendim u mor edhe për 7 të pandehurit e tjerë të dosjes, të cilëve gjithashtu u janë gjetur pasuri, por jo në vlerat e Bistrit dhe Gjokës. Mes tyre është edhe familja Bajri.

Ish-kryepolici i Lezhës dhe Durrësit, akuzohet për veprat “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Kujtojmë se ish-shefi i Operacionales u arrestua në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.

Bistri kishte marrë 4 promovime në detyrë që nga viti 2019 dhe deri më 2022 nga dy ish-drejtorët, fillimisht si shef i Komisariatit nr. 6 në Tiranë dhe më tej në Durrës e Lezhë si drejtor dhe në fund më 2023 si kreu i Operacionales.

Vendimi i Apelit të GJKKO:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarëtDhimitër Lara (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më 13.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 122 akti, datë 30.05.2024regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e shtetasve O.B., A.D., J.B., D.B., D.D., H.T, S.T., dhe E.B.,me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 19, datë 03.05.2024të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me sekuestrimin e pasurive sipas ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009”,dhe vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 19, datë 03.05.2024të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa ka disponuar për ankuesit O.B., A.D., J.B., D.B., D.D., H.T, S.T., dhe E.B.”. /ZOOM.AL/