zoom

Aktualitet

Apeli i GJKKO shpall të pafajshme Sonila Qaton për tenderin e Skërficës

Apeli i GJKKO shpall të pafajshme Sonila Qaton për tenderin e Skërficës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë këtë të mërkurë vendimin për dosjen që lidhet me procedurat e tenderimit të tunelit të Skërficës, pjesë e aksit Kardhiq–Delvinë. Në fokus të hetimeve ka qenë edhe ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, së bashku me disa ish-zyrtarë dhe funksionarë të tjerë.

Trupa gjykuese e Apelit vendosi të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshme Sonila Qaton për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”. Sipas arsyetimit të gjykatës, fakti i pretenduar nuk përbën vepër penale.

Për të njëjtën akuzë u shpallën të pafajshëm edhe disa të pandehur të tjerë të përfshirë në këtë procedim penal, ndërsa një pjesë e vendimeve të mëparshme mbetën në fuqi, kryesisht për episode që lidhen me falsifikimin e dokumenteve.

Hetimet e SPAK kishin të bënin me një tender me vlerë rreth 19 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Skërficës, ku prokuroria dyshonte se ishin favorizuar kompani të caktuara gjatë procedurës së prokurimit.

Në këtë dosje janë hetuar dhe gjykuar disa ish-zyrtarë dhe funksionarë publikë, mes tyre Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Admir Pahumi, Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.

Vendimi i Apelit u mor nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj. Gjykata la në fuqi një pjesë të vendimeve të shkallës së parë, ndërsa për disa prej të pandehurve ndryshoi cilësimin juridik, duke i liruar nga përgjegjësia penale për akuzën që lidhej me tenderin./ Zoom.al

Postime të lidhura