zoom

Aktualitet

Korçë/ AMP vë nën hetim 4 punonjës të Komisariatit të Policisë

4 punonjës të Komisariatit të Policisë së Korçës janë vënë nën hetim nga policia për shpërdorim detyre, pas arratisjes nga ambientet e gjykatës të 21-vjeçarit, Kristian Medolli.

Ky i fundit, iu iku nga duart policëve teksa po e transportonin në ambientet e paraburgimit, pas vendimit të gjykatës, pasi ishte shoqëruar për vjedhjen e një banese.

Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;

• Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,

• Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë

• Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme

• Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë

Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.’- shkruan AMP.