zoom

Aktualitet

Alibeaj: PD s’mund të ketë pikë referimi të shkuarën

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enekelejd Alibeaj, thotë se dhënia e një vendimi nga Gjykata për njohjen e ndryshimeve të bëra në statutin e PD nga Komisioni i Rithemelimit, u bë në shkelje të plotë të ligjeve, fakteve dhe provave.

Pas takimit që pati me Sali Berishën në selinë blu, ai tha për mediat se një vendim i tillë nuk bazohet në asnjë nga dokumentet reale që kjo parti ka depozituar në Gjykatën e Tiranës.

Alibeaj bëri me dije se ka autorizuar që Partia Demokratike të reagojë ndaj vendimit, së pari me kallëzim penal për shpërdorim detyre për gjyqtarin dhe me ankim për “vendimin e paligjshëm në kufijtë e skandalit”.

Ai nënvizoi se backgroundi i tij prej juristi, konsultuar dhe me kolegët, kupton diçka të thjeshtë, se vendimi i sotëm, nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij do të paraqitet ankim, ku do të jetë gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Zoti Berisha erdhi në selinë e PD dhe si një shenjë e fisnikërisë për këdo që vjen në parti, ne i japim dorën. Zoti Berisha pretendonte se vendimi i gjykatës ishte finali, i cili ka zëruar gjithçka dhe se ka një Komision Rithemelimi. Pretendonte bashkimin e demokratëve nëpërmjet votës. Qëndrimi im ishte i tillë: PD ka lindur në vitet ’90-të si parti pro-perëndimore që ka përqafuar vlerat pro-amerikane dhe se e mira e demokratëve për të rifuqizuar demokratët, kalon duke i respektuar në mënyrë strikte këto vlera. Zotit Berisha i thashë se PD, 30 vite pas formimit të saj, nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj, individë, një profil politik, një deputet, një kryetar PD, i cili është etiketuar nga SHBA si non grata. Interesi i demokratëve është i pari. Një orë e më parë të bashkohen, të bëhen shumicë dhe të rrëzojnë regjimin komunist të Edi Ramës, por nuk mund të bëhet kurrsesi me metoda komuniste. I thashë zotit Berisha që nuk mundet që një parti që kërkon të shohë nga e ardhmja, s’mund të kemi pikë referimi të shkuarën.

Alibeaj tha se Berisha nuk pranon këtë formë bashkimi, por se do të vazhdojë në trajektoren e vetë. Për kryetarin e dorëhequr Lulzim Basha, deklaroi se i mori përsipër kusuret e veta.

Zoti Basha tregoi se nuk ishte i lidhur pas karriges, u dorëhoq. Zotit Berisha i kërkova të heqë dorë nga gjuha e agresionit dhe hedhjes së helmit mes demokratëve”, tha ai.