zoom

Aktualitet

Akuzohet për 7 vrasje në grup të organizuar në Greqi, detajet e dosjes së Xhon Pajës

Prej disa orësh media greke po zbulon pjesë detaje nga dosja hetimore e zbulimit të një grupi prej 7 personash, të dyshuar secili veç e veç në episode të ndryshme e shpesh në bashkëpunim për të paktën 3 vrasje, 3 tentativa vrasje dhe vepra të tjera kriminale ndaj pronës.

Mes personave të dyshuar është edhe 26-vjeçari nga Poshnja e Dimalit, Xhonatan Paja, i cili ndodhet i arrestuar në Mal të Zi si i dyshuar se do të vriste anëtarin e një klani të njohur kriminal.

Ditën e sotme u publikuan detaje se Paja, në kuadër te grupit të zbuluar në Greqi, dyshohet i përfshirë në ngjarjen e datës 16.06.2023, ku 9 persona i vunë zjarrin 23 makinerive të prodhimit të duhanit të një kompanie.

Gjatë orëve te fundit, është zbuluar përmes dosjes hetimore se shqiptari rezulton i dyshuar edhe për vrasjen e Vasilis Roumpetis dhe Dionisis Mouzakitis në qershor 2023.

Konkretisht sipas mediave greke referuar dosjes hetimore: “Në qershor 2023, Vasilis Roumpetis dhe Dionisis Mouzakitis u vranë në Koridallos. I pari konsiderohej një emër i fuqishëm dhe i dyti punonte në ruajtjen e Skaftouros.

Autorët kanë përdorur dy makina dhe një motorr. Pas arratisjes së tyre dyshohet se kanë ndërruar automjete, njëra prej të cilave është gjetur e djegur në Skaramangas.

ipas policisë, në të njëjtën natë në zonën ku u gjet e djegur makina e sulmuesve, janë aktivizuar celularë specifikë, mes tyre një numër që i ngarkohet një shqiptari, i cili aktualisht është i burgosur në Mal të Zi”.

Kujtojmë që pas arrestimit në Mal të Zi në tetor 2023, në banesën e Pajos në Dimal është ushtruar kontroll edhe nga policia shqiptare, por rezultatet e tij nuk janë bërë publike. /ZOOM.AL/