Aplikacion
Gjykata e Drejtësisë e Katalunjës e ka shpallur të pafajshëm Dani Alves-in për veprën penale të agresionit seksual, për të cilën vitin e kaluar u dënua me 4 vite e gjysmë burg.
Ish-futbollisti brazilian u dënua për një rast përdhunimi ndaj një vajze 23-vjeçare në atë kohë, ngjarje e ndodhur në një diskotekë në Barcelonë.
Ishte Gjykata e Barcelonës ajo që e dënoi ish-futbollistin brazilian në shkurt të vitit 2024 për ngjarjet e ndodhura natën e 30 dhjetorit 2022. Kur u shpall vendimi, Alves, i cili kishte kaluar më shumë se një vit në paraburgim, u dënua me 4 vite e gjysmë burg, 5 vite mbikëqyrje pas lirimit dhe 9 vite ndalim afrimi ndaj “viktimës”. Gjithashtu, u vendos që braziliani t’i paguante “viktimës” një dëmshpërblim prej 150.000 eurosh.
Tani, dhoma e apelit e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalunjës, e përbërë nga tri gra dhe një burrë, ka vlerësuar se dëshmia e “viktimës” nuk është “e mjaftueshme për të mbajtur në fuqi dënimin e të akuzuarit dhe se në këtë rast mbizotëron e drejta për prezumimin e pafajësisë”, ka raportuar “Cadena SER”.
Edhe një herë, arsyeja kryesore lidhet me regjistrimet e kamerave të sigurisë, të cilat ishin analizuar dhe komentuar gjerësisht edhe më parë.
Që atëherë, Gjykata e Barcelonës kishte pranuar se kishte një “mospërputhje” në pjesën e parë të dëshmisë së “viktimës”. Ajo kishte deklaruar se ishte ndier e frikësuar, por pamjet filmike tregonin një afërsi mes tyre, duke lënë të kuptohej se kishte pasur një “marrëveshje” për të shkuar në tualet.
Megjithatë, gjykatësja e çështjes kishte theksuar më parë se, edhe nëse kishte pasur një pëlqim fillestar nga ana e të dëmtuarës, kjo nuk e zhvlerësonte dëshminë e saj për agresionin që kishte ndodhur më pas.