zoom

Lajme

Agjenti i Rumanisë dhe skandali te Onkologjiku, Bardhi: Interpelancë me Ramën dhe ministren Koçiu!

Gazment Bardhi, në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, ka deklaruar se një nga këshilltarët e kryeministrit Edi Rama ka qenë agjent rumun.

Bardhi pohoi se PD ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama për këtë çështje, që të japë llogari për këtë emërim, që sipas tij është në cënim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

“Kemi kërkuar dhe një interpelancë urgjente me zotin Rama në seancë e radhës në Kuvend, për një skandal të emërimit prej tij të një ish-agjenti të Shërbimeve sekrete rumune që sipas Shërbimeve rumune, rezulton të jetë pika lidhëse mes klaneve dhe bandave të trafikut të drogës. Së pari një agjent i shërbimeve të huaja nuk mund të jetë i rekrutuar apo i emëruar, se cënon Republikën e Shqipërisë. Ky agjent i shërbimeve rumune ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës. Për ça e ka këshilluar ish-agjenti Coldea Ramën? Se si bëhet trafiku i drogës?”, tha Bardhi.

Fokusi ishte edhe te skandali në Onkologjik. Bardhi tha se është kërkuar një interpelancë urgjente me ministren Koçiu.

“Sapo ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Në qendër të diskutimeve skandali i Onkologjikut. Grupi ka miratuar kërkesën për një interpelancë me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme, për t’iu përgjigjur papërgjegjshmërinë që ka udhëhequr ministrin në trajtimin e këtij problemi. Dje ministrja, edhe për shkak të indinjimit të thellë që gjëja ka shkaktuar në popull, shprehu neveri për që që ka ndodhur, por institucionet kanë qenë të informuara në kohë për atë që po ndodhte.

Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH. Pasi vepron prokuroria nuk mund të veprosh me fjalinë kemi pushuar mjekët.Kërkesa për interpelancë, është dorëzuar sot. Secili nga ata që janë përfshirë në skemë, pasi ka dhe të tjerë, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai. /ZOOM.AL/