zoom

Bota

Abramovich mohon përfshirjen në hetimin për Deutsche Bank

Abramovich mohon përfshirjen në hetimin për Deutsche Bank

Përfaqësues ligjorë të biznesmenit rus Roman Abramovich kanë kundërshtuar raportimet që e lidhin emrin e tij me hetimet e autoriteteve gjermane ndaj Deutsche Bank, duke theksuar se ai nuk ka status të dyshuari dhe nuk përballet me akuza.

Sipas deklaratës së bërë publike, Prokuroria e Frankfurtit, e cila po zhvillon veprimet hetimore lidhur me institucionin financiar gjerman, ka konfirmuar se Abramovich nuk është subjekt i hetimit penal në këtë çështje.

“Autoritetet përkatëse kanë sqaruar se zoti Abramovich nuk është i dyshuar dhe se ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë”, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të tij.

Në të njëjtën deklaratë theksohet se janë ndërmarrë hapa ligjorë për disa publikime mediatike, të cilat, sipas palës së biznesmenit, e kanë përfshirë emrin e tij në mënyrë të pabazuar. Pretendohet se informacionet fillestare kanë ardhur nga një raportim i një mediaje gjermane dhe se disa redaksi kanë nisur tashmë të korrigjojnë përmbajtjen, duke hequr referencat ndaj Abramovich.

Debati publik u nxit pas një shkrimi të revistës Der Spiegel, ku thuhej se kontrollet e autoriteteve në zyrat e Deutsche Bank mund të lidhen me marrëdhënie biznesi të bankës me kompani të lidhura me Abramovich. Këto pretendime, sipas përfaqësuesve të tij, nuk mbështeten nga qëndrimi zyrtar i prokurorisë.

Postime të lidhura