zoom

Slider

Abramovich largohet nga klubi i futbollit Chelsea FC

Miliarderi rus Roman Abramovich ka dorëzuar administrimin e klubit të futbollit Chelsea FC të cilin e ka në pronësi që nga viti 2003.
Përmes një letre për media Abramovich ka bërë të ditur largimin porse nuk ka dhënë arsyet e sakta.
Administrimi i klubit i është lënë fondacionit bamirës të klubit.
“Besoj se aktualisht ata janë në pozitën më të mirë për t’u kujdesur për interesat e klubit, lojtarëve, stafit dhe tifozëve”, thuhet në letrën e Abaramovich.
Pas nisjes së luftimeve në Ukrainë, deputeti laburist Chris Bryant i kërkoi qeverisë britanike të premten të konfiskojë pasuritë e miliarderit rus dhe pronarit të Chelsea FC, Roman Abramovich, duke përmendur shqetësimet për lidhjet e dyshuara me korrupsion.
Abramovich u identifikua nga Zyra e Brendshme në vitin 2019 se kishte lidhje me shtetin rus, si dhe me “aktivitete dhe praktika korruptive”, tha Bryant, duke sugjeruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të konfiskojë asetet e tij dhe ta ndalojë atë të zotërojë klubin e futbollit.
Abramovich, i cili bëri pasurinë e tij në industrinë e naftës dhe gazit në vitet e 90-ta, u bë pronar i kompanive që kontrollojnë ekipin Chelsea FC në vitin 2003. Ai vazhdimisht u kritikua si njeri i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Një numër vendesh perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Putinit dhe ministrit të tij të jashtëm, Sergej Lavrov ditët e fundit, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian si dhe SHBA-në.