Aplikacion
Deri tani Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka çuar pas hekurave për korrupsion ish –ministrin e Mjedisit, Lefter Kokën dhe ish –deputetin socialist Alqi Bllako, për çështjen e inceneratorëve.
Edi Rama iu vërsul SPAK-ut publikisht duke e kërcënuar dhe duke u ankuar njëkohësisht, se po bënte arrestime vetëm nga oborri i tij dhe s’po bënte asgjë kundër Ilir Metës e Sali Berishës, dyshesh që ai pritet ta ketë përballë pas 24 korrikut.
Tonet e Ramës u ulën, teksa nga ambasada e SHBA dhe organizmat e tjerë drejtësisë iu kërkua publikisht që të mos intimidohet.
Veç inceneratorëve, ku pritet të ketë arrestime edhe për atë të Tiranës, një tjetër çështje e nxehtë e SPAK është ajo e koncesioneve në Shëndetësi.
Prokuroria e Posaçme po heton koncesionin e Laboratorëve, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit se ai u dha në kundërshtim me ligjin.
Kontrata PPP prej më shumë se 110 milionë eurosh u fitua nga një konsorcium me një kompani offshore, pas të cilave qëndron biznesmeni enigmatik Jani Karathano me kopaninë e tij “Pegasus”, një lidhje e ish –ministrit Ilir Beqja.
KLSH paditi 7 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, raportoi se kontrata ka krijuar mjaft probleme. Sipas BIRN, “në fund të muajit maj, në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë mbërriti një urdhër me mesazh, përmes së cilit u kërkohej që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente”, pasi “është ezauruar 100% e buxhetit të laboratorit”.
Kontrata e tipit PPP përcakton një shumë buxhetore të caktuar për çdo muaj. Nëse numri i analizave është më i madh se parashikimi, ato i paguan shteti. “
Ilir Beqaj ishte paralajmëruar kur ishte ministër i Shëndetësisë nga konsulenti IFC, Korporata Ndërkombëtare e Investimeve, se kontrata PPP nuk i përmbushte nevojat.
“Studimi për ofrimin e shërbimeve diagnostikuese nga laboratorët mjekësorë paraqet vështirësi për shkak të mungesës së të dhënave sasiore mbi shërbimin publik dhe për faktin se një pjesë e kërkesës konsumatore mbulohet nga shërbimi në sektorin privat,” thuhet në në vlerësimin e IFC.
Veç kësaj IFC shprehu shqetësim për integritetin e njërës prej kompanive të konsorciumit, me gjasë kompanisë offshore me seli në Holandë.
Por Ilir Beqaj nuk pranoi të dëgjonte asnjë nga sugjerimet e IFC dhe as ato të opozitës së asaj kohe që e akuzonte me shumë zhurmë për të 4 koncesionet e formës PPP të dhëna në Shëndetësi, “Check Up”, “Dializa”, “Sterilizimi” dhe “Laboratorët”.
Tani, Ilir Beqaj është i rrezikuari kryesor. Sepse ai ishte vënë në dijeni nga konsulenti ndërkombëtar që koncesioni kishte probleme, se ai nuk i përmbushte kërkesat dhe se konsorciumi që u shpall fitues kishte në përbërje një kompani të dyshimtë.
Zbatimi i kontratës prej 2 vjetësh ka nxjerrë në pah disa nga problemet që rendiste IFC në atë kohë. PPP-ja nuk po ua ofron qytetarëve shërbimin e analizave. Për të mos paguar nga buxheti, mjekët po i shtyjnë analizat dhe nuk po i bëjnë ato kur u nevojiten qytetarëve edhe pse “Pegasusi” i Jani Karathanos po fiton mbi 110 milionë euro. /Zoom.al