zoom

In Zoom

A është Kastrati biznesmeni i përmendur nga Arben Ahmetaj në intervistën për inceneratorët?

“Unë nuk kam ngrënë qofte të veranda dhe pastaj i kam dhënë tokën, detin, ajrin, lejen atje, jo një njeriu, por shumë.”

Arben Ahmetaj e akuzoi në këtë mënyrë kryeministrin Rama për të treguar se si i ndan ai pasuritë e Shqipërisë dhe me kë i ndan ato.

Akuza e rëndë ishte pjesë e një interviste të gjatë për gazetarin Çim Peka në Syri Tv,plot të reja të treguara nga ish -numri dy i qeverisë për mënyrën se si qeveris Rama, cili është roli i tij në çështjen e inceneratorëve dhe roli i Erion Veliajt në inceneratorin e Tiranës, të cilin e quajti si pronarin faktik.

Por mes shumë akuzave, Ahmetaj la edhe disa pikëpyetje.

Cili është oligarku në verandën e të cilit ulet Edi Rama? Kë biznesmen akuzoi ai se qëndron pas Blerim Hoxhës, për të cilin tha se zotëron 40 % të inceneratorit të Tiranës dhe ka punuar në sektorin e naftës nëpërmjet kompanisë ARMO?

Në puzzle-in plot të panjohura Arben Ahmetaj dha disa detaje ndihmëse për të identifikuar “oligarkun”, të cilin ai nuk e përmendi me emër.

“Apo ajo që e lidh Doçin me oligarkët tek resorti i Rolling Hills”, – u shpreh ai teksa fliste për gazetarin që e ka denoncuar në SPAK.

Në rrjetet sociale komentet janë të shumta. Biznesmeni që ka marrë tokën, detin, ajrin e të tjera identifikohet prej komentuesve si Kastrati. Atij Rama i ka dhënë koncesionin e portit të Porto Romanos, të portit të Limionit, të Aeroporti të Tiranës, të Rrugës së Kombit apo sipërfaqe të mëdha toke, – thonë komentuesit.

Po ashtu në rrjet ka dyshime se edhe biznesmeni Blerim Hoxha, është i lidhur me Kastratin, për shkak të operimit në sektorin e hidrokarbureve.

“Besim (Blerim) Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri.
Çfarë është ky biznesmen. Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri. Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai, sipas letrave që ka nxjerrë Këlliçi. Unë u habita kur i lexova letrat e Këlliçit dhe po bëja pazëllin, kush qëndron pas këtij njeriu. Këto janë arsyeja pse unë mund të jem kërcënuar dhe do të vazhdoj të kërcënohem edhe pas kësaj interviste. Po, burri njëherë vdes. Kush e ka 40%. Po 20% në parajsat fiskale kush e ka. Mirel Mërtirin e kanë zhdukur nga Shqipëria këta që të them unë për t’i marrë biznesin dhe ia kanë marrë. Mireli tek intervista me ju, ju referua për mua me të drejtë, konceptit të pronarit faktik”-deklaroi Ahmetaj.

Por si ka operuar Hoxha në sektorin e naftës në Shqipëri?

“Blerim Hoxha është një shtetas nga Kosova, është përfaqësues i kompanisë “Tosk Energy”, një biznes që më pas ka marrë pronësinë e rafinerisë së Ballshit, përmes kompanisë SPD” – sqaroi më pas gazetarja Ola Xama.

Sipas saj ai ka financuar edhe Ramën e Veliajn.

“Ai ka lidhje me të dyja linjat që financojnë fushatat, edhe të z. Rama, edhe të z. Veliaj” – shkruan Xama.

Ahmetaj i sfidoi gazetarët të ngrenë dronët dhe të shohin edhe verandën e “oligarkut” që ai denoncoi, në Rolling Hills.
Ndërsa deklaratat e tij përbëjnë një tjetër sfidë për drejtësinë e re: a do ta fillojë SPAK kryesisht hetimin për këtë akuzë të madhe? /Zoom.al