zoom

Politikë

A do t’i funksionojë Edi Ramës, strategjia “si ishte, si është”

Kryeministri Rama ka paralajmëruar sot në Facebook strategjinë që do të ndjekë për t’u përballur me Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

Siç ka vepruar në 9 vjet pushtet, ai do të tregojë se si kanë qenë landfillet e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit, e si janë bërë sot.

Shqiptarët e dinë se si ishte Sharra në kohën e tij. Tani e dinë edhe si është dhe pse është. Ndryshimi është që jane mbjellë ca pemë sipër si kamuflazh, për milionat që dyshohet se janë vjedhur.

PD në komision nuk duhet të bjerë pre e kësaj taktike të propagandës. Sharra sot mund të duket më bukur se dje, por e bukura ka shërbyer vetëm për të vjedhur, siç thotë PD, pasi aty koncesionari paguhet për djegie plehrash me incenerator, ndërkohë që inceneratori nuk ekziston

Edi Rama mund t’u tregojë sot mjaft foto të stilit “si ishte, si është”. Ndërsa PD duhet t’i tregojë atij ku ishin milionat e taksapaguesve dhe në xhepat e kujt kanë shkuar.

Edi Rama mund ta shesë para komisionit rregullimin estetik të landfillit të Sharrës si sukses, por 430 milionë euro s’mund të justifikojnë fasadën, pas së ciles ka prapë plehra, miliona tonelata, të padjegura nga inceneratori që duhet të ishte ndërtuar e nuk duket ende gjëkundi.

Sot strategjia e kryeministrit mund t’u bëjë punë vetëm mediave që ai kontrollon për të shumëfishuar fotot dhe 3D-të e tij të sukseseve imagjinare, si marramendje për publikun.

Ndërsa PD në komision ka për detyre t’i faktojë vjedhjen, rolin e tij në ketë aferë, t’i kujtojë se ka një ministër të qeverise së tij në burg për vjedhjen me inceneratorin e Elbasanit dhe se skema të ngjashme vjedhjesh janë përdorur edhe në inceneratorin e Tiranës dhe Fierit.

Vetëm provat do ta bënin Edi Ramën që strategjia “si ishte, si është” t’i kujtohej para pasqyrës ku do të duhet të shohë veten për të kuptuar kush ishte, në çfarë e ka shndërruar paraja dhe pushteti dhe kush do të jete ai nesër pasi të zbardhet tërësisht kjo aferë. / Zoom.al