zoom

Slider

Ikim me kokën poshtë! Evropa, obsesion për të shkuar, por jo për të qëndruar…

Europa mbetet obsesion për klubet tona, që bëjnë gjithçka për të shkuar, por jo për të qëndruar… Çdo vit e njëjta panoramë, vetëm ndryshojnë protagonistët.

Edhe në këtë fushatë aspiratat ishin të mëdha në fillim të aventurës europiane, por ekipet shqiptare zhgënjyen sërish në kompeticionet e UEFA-s.

Katër skuadra vetëm një tur i kaluar, 12 ndeshje, 2 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje, prej të cilave 4 Tirana. Statistikat flasin qartë, shumë pak për të bërë hapin cilësor dhe për t’u krahasuar me vendet e rajonit, ndonëse ne prentendojmë se jemi më të fortë. Madje edhe Kosova është më mirë se ne.

Tirana, kampione e Shqipërisë, nuk kaloi dot një tur, Laçi nënkampion, arriti të ngrej lart flamurin shqiptar duke mposhtur malazezët e Iskra-s, për të kaluar në raundin e dytë. Kurbinasit janë të vetmit që kanë bërë progres në vitet e fundit.

Partizani u eliminua në premierë, ndonëse pati një paraqitje pozitive (fitoi 1-0 ndaj Saburtalo në Gjeorgji) dhe Vllaznia, fitues e Kupës së Shqipërisë u largua në raundin e dytë (1-1 dhe 0-3 ndaj Craiova-s).

Ky dështim tregon qartë mënyrën se si funksionojnë klubet tona dhe strategjinë e drejutesve, të cilët gjatë gjithë sezonit bërtasin me të madhe se kanë objektiv Europën dhe kur e arrijnë, largohen pa lënë gjurmë. Madje duke zhgënjyer dhe keqazi.

Dikush thotë se parat e akorduar nga UEFA janë frymarrje për buxhetet e klubeve tona, deri diku po, por kjo filozofi është totalisht e gabuar dhe e ardhmja është e frikshme.

Nuk mund të pretendosh të kesh sukses dhe të ndërtosh një ekip fitues pa patur më parë një filozofi dhe projekt afatgjatë. Problemi yn është se presidentët e klubeve të Superiores ndërtojnë dhe prishin gjithçka brenda një sezoni.

Të gjithë duan kohën e vetë të përshtaten, mbi të gjitha trajneri me ekipin, që të përçoj filozofinë e tij të lojës dhe futbollistët të njihen me lojën e njëri-tjetrit. Aq shpesh sa ata ndryshojnë kanë problem të fiksojnë emrat, jo më të kuptohen në fushë.

Në këto kualifikues u pa qartë që si Tirana, ashtu edhe Vllaznia, Partizani por edhe Laçi nuk kishin gjendje fizike.

Gjithashtu një tjetër element që ra në sy ishte arroganca, e bëri Tirana me Dudelange dhe pësoi dy humbje radhazi.

Laçi shfaqi shenja eufori në pjesën e dytë ndaj Petrocub, pas avantazhit me Mazrekajn, dhe pikërisht në momentin më të mirë e pësoi. Moldavët shënuan 4 gola dhe i dhanë një shuplak kurbinasve.

Pikërisht mendjmadhësia dhe mosnjohja e realitet na ndëshkojnë. Ne vuajmë nga sindroma e të fortit, mendojmë se e shkërmoqim gurin me kokë, por kur e provojmë thyejmë turinjtë.

Për të qenë konkurrues, së pari duhet të jemi modest dhe me një projekt ambicioz, ku jo gjithçka mund të bazohet te paratë, por te grupi dhe fryma kolektive mund të përqafojmë suksesin… /Zoom.al/