Aplikacion
Zona shtrihet në qytetin qendror që tani quhet Kuçovë dhe po transformohet në një bazë ajrore moderne të NATO-s, një simbol i zhvendosjes së Shqipërisë drejt Perëndimit, si dhe një pikë kyçe ushtarake në Evropë, ndërsa Rusia vijon luftën në Ukrainë.
Projekti i rinovimit u arrit në vitin 2018 nga shteti ballkanik dhe Aleanca Veri-Atlantike, NATO, e cila ka akorduar 55 milionë dollarë (50.4 milionë euro) për projektin, sipas burimeve shqiptare.
Ndërtimi filloi në fillim të vitit, përpara pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, që ka ngjallur frikën e një përhapjeje në vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së. Megjithëse koha e rizhvillimit të bazës së Kuçovës ishte një rastësi, për disa është e mirëpritur.
“Mjedisi i ndryshuar global i sigurisë ka krijuar tani një shtysë të konsiderueshme për përfundimin e planit të rinovimit (bazës)”, – i tha AFP-së një zyrtar i NATO-s në Bruksel, duke folur në kushte anonimiteti.
Baza, që do të përfundojë në vitin 2023, do t’i japë “aleancës një strukturë të rëndësishme strategjike në Ballkanin Perëndimor, në afërsi të Mesdheut, Lindjes së Mesme dhe rajonit të Detit të Zi”, tha zyrtari i NATO-s. Pas dekadash izolimi global, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009.
Peleshi: Mesazh i qartë për aktorët me qëllime të këqija
Ajo u shmang nga pjesa më e madhe e botës nën drejtimin e diktatorit paranojak komunist Enver Hoxha, i cili krijoi lidhje të ngushta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën përpara se të binte në kundërshtim me ta për devijimin e tyre të dukshëm nga marksizmi i vërtetë.
Vendi përqafoi Perëndimin pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990 dhe sot është i etur për t’u bërë anëtar i BE-së.
Avionët e braktisur në bazën e Kuçovës, janë kujtesë e një kapitulli të historisë së Shqipërisë që shumë janë të lumtur që e kanë lënë pas, por edhe një sinjal për Rusinë, e cila ka kërkuar të zgjerojë ndikimin e saj në rajon.
“Ndërtimi i kësaj baze, është një mesazh i qartë për aktorët e tjerë me qëllime të këqija në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha për AFP ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.
Ndërtimi i bazës me siguri do të nervozojë Moskën, e cila kundërshton fuqishëm çdo zgjerim të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkan, i cili tradicionalisht ka qenë i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit. Sot, fqinjët e Shqipërisë, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë të gjithë pjesë e NATO-s.
Për Seit Putron, i cili ka punuar në departamentin e financave në bazë për më shumë se 30 vjet, është një konfirmim i mirëpritur i besnikërisë politike të Shqipërisë.
“Dikur në Lindje, ne tani jemi në vendin tonë, pranë Perëndimit, që është një hap i mirë përpara për të gjithë”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Krijimi i vendeve të punës
Zona prej 350 hektarësh në ish-Qytetin Stalin, u ndërtua në vitet 1950 nën drejtimin e Enver Hoxhës me ndihmën e sovjetikëve dhe u përfundua më vonë me një rrjet të të njëjtit lloj tunelesh nëntokësore që u hapën në të gjithë vendin në rast sulm bërthamor.
Pasi të përfundojë rinovimi i kryer nga NATO, objekti do të funksionojë si një bazë operacionale taktike, e pajisur me një pistë të rinovuar më shumë se dy kilometra (1.2 milje) të gjatë, një kullë kontrolli të përditësuar dhe njësi të reja magazinimi.
Ajo do të ketë kapacitetin për të pritur avionë ushtarakë të teknologjisë së fundit dhe mund të përdoret gjithashtu për furnizim me karburant dhe magazinim municioni.
Zyrtarët shpresojnë gjithashtu se baza, e cila dikur punësonte 700 njerëz, do të krijojë vende të reja pune në rajonin e varfër, 85 kilometra në jug të kryeqytetit Tiranë.
Do të ketë një “ndikim shumë pozitiv ekonomik dhe social”, tha zëvendëskomandanti i bazës, major Leandro Syka.
“Aleancë natyrale”
Avionët që tani lëngojnë në bazën ajrore, përbëhen kryesisht nga MiG kinezë dhe “Antonov” e “Yak-18” të prodhimit sovjetik.
Në fund të Luftës së Ftohtë, baza kishte rreth 200 avionë dhe 40 helikopterë, të cilët u dolën jashtë përdorimit, pasi ishin të vjetruar. Rreth 75 prej tyre kanë rezistuar edhe sot, por fati i tyre mbetet i paqartë.
Autoritetet duhet ende të vendosin nëse ato do të dalin në ankand, do të vendosen në një muze apo do të kthehen për skrap.
Për disa, ata ruajnë kujtime të dhimbshme nga konfliktet e kaluara. Ish-piloti Njazi Nelaj, kujton qartë fluturimin e tij të parë me një “Mig-15”, i cili kishte shenja plumbash nga luftimet në vendet e largëta aziatike.
Por 85-vjeçari është i lumtur që e sheh bazën ajrore të përafruar me NATO-n dhe ai beson se drejtimi i mëparshëm i Shqipërisë drejt Lindjes ishte vetëm një “aksident i historisë”. “Aleanca e natyrshme e Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë me Perëndimin”, tha ai.
Burimi: France24