zoom

Të gjitha

Ariana Grande braktis Grammy

Disa orë përpara nisjes së Grammy 2022, Ariana Grande, e cila ishte nominuar për tre çmime njoftoi se nuk do t’u bashkohej kolegëve të saj të nominuar në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas.

Këngëtarja ndau disa video nga prapaskenat e xhiruara gjatë realizimit të albumit të saj të gjashtë në studio “Positions”, duke uruar të gjithë ata që do të jenë në shfaqjen e çmimeve “të kalojnë bukur” në mungesë të saj.

“Disa kujtime për të festuar ditën e Grammy”, ka shkruar ajo në postim, “Duke reflektuar mbi një proces të jashtëzakonshëm me kaq shumë krijues që i dua dhe i respektoj aq shumë. Më pëlqen shumë ky album”.

Grande aktualisht ka dy Grammy, teksa “Positions” ishte i nominuar për “Albumin më të mirë vokal pop”, ndërsa singel-i kryesor me të njëjtin emër ishte i nominuar për “Performancën më të mirë solo pop”.

Kjo nuk është hera e parë që Grande ka lënë pas çmimet Grammy, pavarësisht se është nominuar për çmime të shumta. Në vitin 2019, ajo vendosi të mos merrte pjesë në shfaqjen e çmimeve pas një mosmarrëveshjeje me producentët e saj rreth performancës së saj të planifikuar në ngjarjen e atij viti./L.K

/Zoom.al