zoom

Blog

Si u infiltrua Europol në rrjetin ‘supersekret’ të trafikantëve dhe çfarë është EncroPhone?

Në një intervistë televizive mbrëmjen e së martës, ish-Kryeministri Sali Berisha foli për një markë telefoni të papërgjueshme, sipas tij, që ka hyrë në Shqipëri dhe është përdorur nga politikanët për të komunikuar me krimin e organizuar dhe porositur deri edhe vrasje.

Marka që tha Berisha ishte “BQ”. Por, më shumë se thjesht një telefon, “BQ” është një shërbim që u është ofruar deri të paktën në korrik të 2021 personave që ishin të gatshëm të paguajnë mijëra euro tarifa për të shmangur çdo përpjekje ligjore që zbërthente përmbajtjen, bisedat, apo mesazhet në telefonat e tyre.

Gjërat ndryshuan në fillim të korrikut të vitit të kaluar, kur Europol njoftoi se kishte arritur të infiltrohej dhe dëshifronte EncroChat të “BQ”, duke siguruar akses te rrjetet e sigurta të krimit të organizuar ndërkombëtar.

53 mln paund u sekuestruan nga policia britanike në 2021 pas falë infiltrimit në rrjetin supersekret të krimit të organizuar

Vetëm në Britaninë e Madhe në atë kohë u arrestuan 746 persona, dhjetra të tjerë u ndaluan në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Holandë dhe të gjithë për trafik lëndësh narkotike, krim të organizuar dhe deri edhe në vrasje, apo porositje të vrasjeve. Nga aksioni u sekuestruan 70 mln euro para të thata dhe 1.5 tonë kokainë.

Kush qëndronte pas EncroChat?

Identiteti i pronarëve që ofrojnë këtë shërbim mbetet ende i panjohur. Disa kanë hamendësuar rusë, të tjera dyshime çojnë në Kinë. Por, vetë Europol beson se pajisjet dhe i gjithë sistemi mbi të cilin operonin ato ishin një sipërmarrje e përbashkët e krimit të organizuar, që ka investuar miliona euro për komunikime të sigurta.

Kur Europol ndërmori aksionin kundër këtij shërbimi në korrik të vitit të kaluar, një person anonim komunikoi me mediat britanike duke e prezantuar veten si përfaqësues i kompanisë EncroChat. Ai tha se kompania po fikte të gjithë serverat e vet për të mbrojtur klientët e saj.

“Shqetësimi ynë kryesor ka qenë gjithmonë garantimi i integritetit dhe sigurisë për klientët tanë, që ne nuk mund ta garantojmë më. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të fikim sistemin dhe të shkatërrojmë të gjitha të dhënat”, tha personi në fjalë.

Çfarë është një EncroPhone?

Sa më shumë cenohen të dhënat personale nga telefonat e shërbimet tradicionale, aq më shumë po forcohet e zgjerohet industria e telefonave të kriptuar. Kompanitë që reklamojnë këta telefona thonë se ata janë në gjendje që të sigurojnë privatësinë, qoftë në rastet kur vidhet, apo humbet, qoftë në rastet kur sekuestrohet nga policia, apo autoritetet ligjzbatuese.

Dokumentet që u publilkuan më vonë treguan se telefonat me EncroChat janë pajisje me sistem operimi Android të modifikuara dhe shumë prej tyre të bazuar në telefonin Aquaris X2 të kompanisë spanjolle “BQ”.

Europol tha në korrik të 2021-t se pajisjet ishin të shenjuara si garantuese perfekte e anonimatit dhe ofroheshin me dy sisteme operime. Njëri sistem ishte ai normale, Android dhe sistemi tjetër ishte i fshehur që pas aktivizimit ofronte mesazhet sekrete. Pajisjet modifikoheshin fizikisht dukje u hequr kamerat, mikrofonin, GPS dhe portën e USB-së.

Përdoruesit mund të caktonin vetë një kod PIN, aktivizimi i të cilit do të fshinte menjëherë të gjitha mesazhet në telefon, ashtu siç ndodhte nëse fjalëkalimi për ta aksesuar telefonin futej gabim për më shumë se 3 herë.

Këto modifikime ofroheshin për të siguruar një proces fshirjeje të shpejtë të mesazheve, sipas Europol, në rastet kur përdoruesit arrestohej nga policia.

“Përveç kësaj, pajisja mund të fshihej edhe në distancë nga shitësi, ose ofruesi i shërbimit”, deklaronte Agjencia.

Kjo ishte arsyeja se përse edhe vetë kompania EncroChat u vu nën hetim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Kush i përdorte këta telefonë?

Europol tha se kompania EncroChat ishte një prej kompanive më të mëdha të ofrimit të këtij shërbimi dhe me një numër shumë të madh klientësh, që dyshohen si të përfshirë në aktivitete kriminale.

“Përdoruesit më të lartë regjistrohen në vendet e njohura si burim dhe destinacion i kokainës dhe tregtisë së kanabisit, ashtu si edhe vendet e njohura si vende ku pastrohen paratë e aktivitetit kriminal”, tha Europol.

Vetëm në Britaninë e Madhe, Aagjencia Kombëtare e Krimit deklaroi se kishte sekuestruar 106 pajisje EncroChat gjatë operacionit të koordinuar me Europol, që zgjati për 5 muaj dhe se kishte shmangur mbi 200 vrasje mes bandave rivale në trafikun e drogës.

Për të siguruar shërbimet e EncroChat në Britaninë e Madhe, përdoruesit paguanin deri në 2 mijë euro në muaj për kompaninë.

Kush mund ta blinte telefonin?

Faqja zyrtare e kompanisë që ofronte këtë shërbim në Britaninë e Madhe ishte “Vice Motherboard”. Ajo u mbyll pas aksionit të Europol. Para se të mbyllej, kishte një seksion të posaçëm për klientët potencialë. Ajo shërbente si nënkontraktore, ose shitëse e dorës së dytë, por pa treguar kompaninë prodhuese.

Blerja nuk ofrohej online, por vetëm përmes dyqaneve fizike, që nga hetimi i Europol më vonë u zbulua se ndryshoheshin vazhdimisht. Ndryshimi i këtyre pikave të shitjes bëhej për të humbur gjurmët, sipas Europol.

Si u infiltrua Europoli?

Autoritetet ligjzbatuese franceze ishin të parat që ranë në kontakt me këto pajisje, kur në 2017-n, xhandarmëria tha se gjente rregullisht telefona të tillë të modifikuar gjatë operacioneve kundër grupeve kriminale.

Hetimet zbuluan se EncroChat operonte përmes serverave të vendosur në Francë. Pas kësaj, hetuesit francezë arritën që të infiltronin në shërbimin e kriptuar një pajisje përgjimi, që u dha akses te mesazhet e kriptuara që qarkullonin në rrjetin e kompanisë.

Përgjimet e bisedave dhe të mesazheve zbuluan se bëhej fjalë për një rrjet të shtrirë përtej Francës dhe për këtë arsye u kërkua ndihma e Europol./gazetasi.al