Aplikacion
Tani, një pushtim në shkallë të plotë po zhvillohet nga forcat ruse, me sulme artilerie dhe raketash që bien në qytetet kryesore dhe luftime në rrugë e Kiev, ndërsa ukrainasit marrin armët dhe improvizojnë armatike për të mbrojtur kryeqytetin. Të tjerët po kërkojnë strehim në vendet fqinje – më shumë se gjysmë milioni ukrainas janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit, tha agjencia e OKB-së për refugjatët.
Rusia ka thënë se kërkon garanci që Ukrainës do t’i ndalohet anëtarësimi në NATO – një dështim për aleancën perëndimore, e cila mban një politikë të dyerve të hapura. Por për vite me radhë, Rusia ka mbështetur luftëtarët separatistë në pjesën lindore të vendit, duke ndihmuar në nxitjen e një kryengritjeje për të minuar qeverinë ukrainase.
Ofensiva mund të ndezë një konflikt më të gjerë dhe të shkatërrojë dekada të paqes në Evropë. Por pushtimi tashmë po vjen me një kosto të madhe për Rusinë, e cila tani është objektivi i sanksioneve ndërkombëtare gjithëpërfshirëse që mund të gjymtojnë ekonominë e saj.
Ja çfarë dimë për arsyet përse Rusia ka sulmuar Ukrainën – dhe çfarë mund të vijë më pas.
Cila është marrëdhënia historike midis Rusisë dhe Ukrainës?
Ukraina zë një vend të rëndësishëm në historinë ruse. Së bashku me Bjellorusinë, ajo formoi shtetin mesjetar Kievan-Rus që Moska dhe Kievi pretendojnë se hodhën themelet e vendeve të tyre.
Kievi ishte një qytet i rëndësishëm në shekujt 9 dhe 10, përpara se fuqia ekonomike në rajon të zhvendosej drejt lindjes. Më vonë, pjesë të asaj që tani është Ukraina u bënë pjesë e Perandorisë Ruse, por pjesë të tjera, veçanërisht në perëndim, kishin më shumë lidhje me fuqitë evropiane.
Mes revolucioneve të vitit 1917 në Rusi, lëvizjet nacionaliste në vend u rritën me shpejtësi. Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës u themelua menjëherë më pas dhe do të bëhej një nga anëtarët themelues të Bashkimit Sovjetik – megjithëse ajo organizatë dominohej nga fqinji i saj shumë më i madh, Republika Socialiste Federative Sovjetike Ruse.
Populli ukrainas vuajti shumë gjatë Bashkimit Sovjetik, me zinë e bukës në 1932-1933 duke vrarë miliona në një katastrofë që fajësonte politikat e Moskës. Zia e bukës u njoh më vonë si gjenocid nga qeveria e pavarur ukrainase. Ishte gjithashtu vendi i dhunës më të keqe të Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania naziste pushtoi pjesën më të madhe të tokës.
Si ndryshuan marrëdhëniet e tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik?
Ndërsa Bashkimi Sovjetik po shembej, ukrainasit votuan për t’u bërë një shtet i pavarur në një referendum në vitin 1991. Vendi gjithashtu u bë një shtet demokratik- megjithëse, një demokraci e papërsosur.
Ashtu si fqinji e saj Rusia, Ukraina e pavarur dhe demokratike vuajti nga vështirësitë ekonomike dhe nivelet e larta të korrupsionit. Megjithatë, ajo kishte një kompleksitet shtesë në marrëdhëniet e saj me Moskën.
Ndërsa shumë në Ukrainë kërkuan një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndimin – duke përfshirë për disa, edhe aspiratat për anëtarësimin në NATO ose Bashkimin Evropian – në fillim të viteve 2000, presidenti i ri i Rusisë, Putin, i shikonte këto zhvillime i alarmuar. Ka popullsi të mëdha ruse dhe rusishtfolëse në Ukrainë, veçanërisht në lindje të vendit pranë kufirit.
Tensionet shpërthyen në vitin 2014, kur protestat pro-perëndimore në Kiev rrëzuan presidentin ukrainas Viktor Janukoviç, të lidhur me Moskën. Menjëherë më pas, Rusia pushtoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Kievi , një veprim që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur se ishte i paligjshëm.
Që nga viti 2014, ka pasur gjithashtu një konflikt të ashpër midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në “republikat e vetëshpallura popullore” në Donetsk dhe Luhansk, dy rajone lindore që kufizohen me Rusinë.
Pse ka shpërthyer konflikti tani?
Në fund të vitit të kaluar, zyrtarët perëndimorë filluan të paralajmërojnë për një grumbullim të madh të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se rreth 190,000 ushtarë rusë ishin grumbulluar deri në mes të shkurtit, duke paralajmëruar se Moska mund të organizojë një sulm të rremë për të justifikuar një pushtim.
Për Putinin, Ukraina është bërë një pikë qendrore e zemërimit me Perëndimin. Në një artikull të postuar në faqen e internetit të Kremlinit në korrik, Putin i përshkroi rusët dhe ukrainasit si një popull dhe shkroi se “sovraniteti i vërtetë i Ukrainës është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”.
Kur njoftoi në shkurt se Rusia do të njihte zyrtarisht separatistët në Donetsk dhe Luhansk, Putini dukej se sugjeroi se Ukraina ishte një lajthitje e historisë.
“Ukraina moderne u krijua tërësisht dhe plotësisht nga Rusia, më konkretisht Rusia bolshevik, komuniste”, u shpreh Putin në një fjalim drejtuar kombit rus më 21 shkurt.
Ky obsesion me Ukrainën ka ekzistuar prej kohësh në Moskë. Udhëheqësit caristë I janë referuar Ukrainës si “Rusia e vogël” dhe janë shprehur se gjuha e saj “nuk ka ekzistuar kurrë, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”. Udhëheqësi sovjetik Vladimir Lenini shprehej – “Nëse humbim Ukrainën, ne humbasim kokën” – ndërsa Mikhail Gorbachev më vonë tha se nuk mund të kishte Bashkimi Sovjetik pa Ukrainën dhe asnjë Ukrainë pa bashkimin.
Megjithatë, marrëdhënia në zhvillim e Ukrainës me NATO-n ka qenë me interes intensiv për Putinin. Presidenti rus ka kërkuar prej kohësh një “sferë ndikimi” mbi ish-shtetet sovjetike dhe ka një interes të rëndësishëm në Ukrainë, e cila ka “potencialisht më shumë gjasa për t’u bashkuar me NATO-n”, tha Matthew Sussex, një ekspert i Rusisë në Institutin Griffith Asia në Australi.
“Është e qartë se shqetësimet themelore të Rusisë janë injoruar”, tha Putin në fillim të shkurtit për propozimet e SHBA-së dhe NATO-s për të mos përshkallëzuar krizën.
A mund të dështojë dhe t’i kthehet në bumerang lufta Rusisë?
Sulmi ushtarak ndaj Ukrainës mund t’i kthehet nga vetja Rusisë, sepse ka nxitur NATO-n të rrisë praninë e saj në Evropën Lindore. NATO aktivizoi një forcë të posaçme reagimi për herë të parë, njoftoi organizata të premten. Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet evropiane kanë zhvendosur tashmë më shumë trupa në rajon. Në një ndryshim të madh politikash, Gjermania njoftoi se do të rriste shpenzimet e saj ushtarake dhe do të dërgonte armë në Ukrainë, ndërsa Zvicra njoftoi të hënën se do t’i bashkohej vendeve të tjera evropiane në sanksionimin e Putinit dhe Rusisë, në një shkëputje nga neutraliteti i saj i gjatë.
Degëzimet ekonomike janë gjithashtu një shqetësim i madh. Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian njoftuan të gjitha sanksione të koordinuara kundër kompanive, bankave dhe zyrtarëve rusë javën e kaluar, duke përfshirë Putinin dhe drejtuesit e biznesit që janë të lidhur me Kremlinin. Gjermania ndaloi gjithashtu autorizimin e një tubacioni të madh të ndërtuar për të transportuar gaz natyror nga Rusia në Evropë. Të shtunën, Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë thanë se do të bllokonin aksesin e Rusisë në rezerva të konsiderueshme valutore të mbajtura në Perëndim dhe do t’i ndërpresin bankat ruse nga sistemi i mesazheve SËIFT, i cili lidh bankat në mbarë botën. Kjo masë, së bashku me njoftimin nga disa vende dhe Shtetet e Bashkuara për të bllokuar aksesin e Rusisë në rezervat e saj valutore në Perëndim, bëri që rubla të bjerë. Banka Qendrore e Rusisë rriti normat për të mbështetur monedhën ruse.
Zyrtarët rusë kanë anashkaluar ndikimin e mundshëm që mund të kenë masat e marra, duke argumentuar se Rusia i ka tejkaluar sanksionet më parë. Ekziston edhe kostoja e pushtimit të Ukrainës në periudhën pas pushtimit.
Kur bëhet fjalë për Ukrainën, çfarë duan në të vërtetë qytetarët rusë?
Nëse pushtimi çon në viktima tëshumta ruse, si dhe në vdekje të civilëve, kjo mund të krijojë probleme për Putinin në vend, pasi shumë qytetarë rusë kanë lidhje personale me Ukrainën.
Sipas një sondazhi të fundit., më shumë se gjysma e rusëve thonë se një luftë globale është një nga frikërat e tyre më të mëdha,
Mijëra qytetarë në Rusi dolën në rrugë për të dënuar pushtimin e ndërmarr nga Rusia, në një shfaqje të rrallë të dënimit publik në një vend ku protestat publike mund të çojnë në burg ose gjoba. Putin gjithashtu përballet me sfida të tjera të brendshme, duke përfshirë një rritje të rasteve të koronavirusit dhe një rënie të përgjithshme ekonomike. /”The Washington Post” – Përgatiti në shqip për Zoom.al M.C