zoom

In Zoom

Jorida Tabaku, nën shenjestër. Kush po i financon sulmet ndaj saj?

Një kronikë e televizionit Top News, e pak ditëve më parë, vinte nën shenjestër kryetaren e Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, Jorida Tabakun. Top News e quante si intimidim faktin që ajo dhe anëtarët e tjerë të komisionit kishin shkuar pranë vendit ku do të ndërtohet inceneratori i Tiranës dhe kishin konstatuar se aty nuk kishte asnjë impiant.

Gazetari raportonte se “drejtori teknik rrëzoi pretendimet (e Tabakut) se duhet të ishte ndërtuar impianti i incenerimit të mbetjeve, duke bërë të ditur se ka një afat 6-vjeçar për përfundimin e inceneratorit të Sharrës”.

Jorida Tabaku ne landfillin e Sharres

Pa u hyrë detajeve se përse kompania merrte para sikur aty të kishte incinerator, ndërkohë që nuk ka as sot impiant të djegies, gazetari i Top News, me një zë-kopje  të Met Veliut, por pa pathosin e tij, vazhdonte të lexonte shkeljet, që sipas tij po bënte Tabaku, teksa ajo pyeste për atë që konsiderohet si një prej aferave më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri.

Vendi ku duhej ndertuar inceneratori i Tiranes

Në Komisionin Hetimor Parlamentar, mazhoranca po bën çdo përpjekje të mundshme, jo vetëm për ta penguar Jorida Tabaku, por edhe për ta frikësuar atë. Ermonela Felaj, një deputete e PS në konflikt interesi, pasi ka marrë pjesë në proecdurat e kontratës së inceneratorëve, e kërcënoi me kallëzime penale përse ajo kishte takuar kreun e SPAK.

Paralelisht, në disa portale ajo sulmohet në forma të ndryshme. Disa media onlinë shkruajnë se Tabaku i ka dhënë një tokë të trashëguar në Tiranë kompanisë “Kastrati”, pronarin e së cilës, Shefqet Kastratin, Lulzim Basha e ka akuzuar disa herë publikisht si oligark. Edhe pse familja e saj (Turdiu) ka ndjekur një procedurë korrekte ligjore për të zhvilluar pronën, ky fakt shitet në këto media si diçka kompromentuese.

Gazeta Tema, e Mero Bazes, një portal i vënë totalisht në shërbim të qeverisë, raportonte se kishte bërë një zbulim të tillë që, ajo kishte një vilë në Gjirin e Lalsit, në një kompleks rezidencial që gazeta evidentonte se ishte ndërtuar nga një “oligark”, të cilin Jorida Tabaku e kishte sulmuar për punimet që po bënte në shkollën “Sami Frashëri”. Me hulumtimin më të thjeshtë, gazeta mund të kishte zbuluar se vila ishte e vëllait të saj. Tabaku u mjaftua duke treguar se familja e saj kishte pasur prona të trashëguara mjaftueshëm sa për të ndërtuar jo një, por disa vila të tilla.

Nuk do shumë për të kuptuar se përse sulmohet dhe kush i orkestron sulmet ndaj saj. Në kohën kur mediat pranë pushtetit flisnin për vilën në Lals, ajo i ishte qepur kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt për “aferat” që, sipas saj, ai po bënte me ndërtuesit e fuqishëm në vend.

Tani, Top News e ndonjë media tjetër pranë qeverisë, e kanë vënë në shenjëstër pasi, pa shumë zhurmë, ajo ka arritur më në fund të detyrojë Edi Ramën, Erion Veliajn, Arben Ahmetajn, Belinda Ballukun e të tjerë, që të ulen para Komisionit Hetimor Parlamentar e të dëshmojnë për skandalin e inceneratorëve.

Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit per Inceneratoret

Siç tregoi sjellja e Ermonela Felajt sot në Komision, këtë javë sulmet ndaj saj pritet të intensifikohen, ndërsa mediat shërbëtore të pushtetit mezi presin që t’u shkojë i gatshëm ndonjë “zbulim” që do ta kompromentonte figurën e saj.

Këtë javë, Jorida Tabaku ka në dorë shumëçka. Ajo, jo vetëm mund të hedhë dritë mbi këtë aferë njëherë e përgjithmonë, por duke e bërë këtë, do të mund të shpëtojë edhe partinë e saj nga dyshimet se ka qenë palë.

Sa për Top News, tashmë është e ditur botërisht që ky televizion është në listë-pagesat e kompanive koncesionare të inceneratorëve. Dhe sulmet me pagesë nuk mbyllen derisa ineneratorëve t’u priten financimet publike, pa të cilat, armët në frëngjitë e Top Medias do t’u ngjajnë pushkëve të drurit të zborit të dikurshëm. /Zoom.al

Skena e pagesave te inceneratoreve. Grafik i PD

Pagesat per inceneratoret. Grafik i PD 1

Postime të lidhura