zoom

Politikë

Nxehen gjakrat në Komisionin e Inceneratorëve/ Tabaku, Felajt: Thërras Gardën, të nxjerr jashtë

Ndërkohë që gjatë ditës pritet të dëshmojnë para Komisionit Hetimor për Inceneratorët dy ministrat, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, si edhe dy kryebashkiakët Emirjana Sako dhe Armando Subashi, seanca është shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së.

Komisioni nisi me deklaratën e zëvendëskryetares së Komisionit, Ermonela Felaj, e cila tha se do ta padisin Jorida Tabakun për shkak se shkoi të takonte kreun e SPAK-ut, Arben Krajën pa lejen e komisionit.

Kaq u desh që gjithçka të dilte nga rendi i ditës, ndërsa Tabaku tha se gjithçka bëhet që të hiqet vëmendja nga puna e komisionit dhe dëshmia e ministrave dhe kryebashkiakëve.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku paralajmëroi Ermonela Felajn se do ta nxirrte jashtë me Gardën e Republikës nëse prishte mbledhjen.

Pjesë nga debati:

Jorida Tabaku: Këto kolegë deputetë që në çdo seancë në konflikt të pastër interesi vijnë këtu dhe duan të marrin peng komisonin në javën më të rendësishëm të saj. Ka ardhur Ermonela Felaj dhe na bën moral për diskutimin e ligjit. Këtë padi që bën për mua bëjë edhe për Ulsi Manjën dhe Erion Veliajn. Bëjeni edhe për veten dhe për tre anëtarët, sepse jeni në konflikt interesi, pasi keni qënë pjesë e vendimarrjes për inceneratorët.

Kemi këtu një detyrë shumë të vështirë për të rritur transparencën. Është shembulli më i mirë për pengimin e këtij hetimi. Unë kujtova se ajo do të zbatonte lugjin, por qëllimi ka qenë pengimi i hetimeve. Zonja Felaj ma bëri padinë si Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Ermonela Felaj: Je jashtë procedurës.

Jorida Tabaku: Radhën e ka z.Boçi

Ermonela Felaj: Jo radhën e kisha unë.

Luçiano Boçi: Pse te radha e qumështit jemi në këtu..një burrë, një grua që do mbajmë radhën..?

Ermonela Felaj: Pse keni frikë nga fjala jonë.

Jorida Tabaku: Frikë duhet të ketë Ermonela Felaj që ka firmosur për koncensionet.

Luçiano Boçi: Po kërkoni të largoni vëmendjen nga fokusi i komisionit.

Jorida Tabaku: Do t’i kërkoj Gardës ta nxjerrë Ermonela Felajn nëse prish seancën.

Luçiano Boçi: Zonja Felaj duhet të thirret si dëshmitare. Je në konflikt interesi pasi në pozicionin e ish-ministres ke dhënë vendim me mosveprimet e tua. Ke interesa të inceneratorët. Ti po sillesh si prokurore këtu.

Etjen Xhafaj: Nuk ka asnjë të shqetësuar nga ne për këtë çështje. Ju akuzoni nënkryetaren me emër të përveçcëm dhe thoni pastaj se po flet për procedurë. Ky është një komisioni i dyanshëm dhe kudo kemi shkuar të dyja palët. Duhej të ishim të dyja palët në takim me Krajën.

Dhurata Çupi: Jeni duke vepruar kështu sepse sot vijnë shefat tuaj këtu që të dëshmojnë. Sot që vijnë shefat tuaj në politikë që ju kanë bërë deputetë dhe ministra, sot veproni kështu. Ata do vijnë të dëshmojnë këtu dhe do dëshmojnë edhe në SPAK.