Aplikacion
Specialistja Eni Qirjako, e punësuar pranë AKSHI-t do të merrte listën e pagave dhe do t’ia kalonte kolegut të saj, Andi Agaraj, i cili më pas do ta shiste atë te përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Një skandal shtetëror që do të rrëzonte besimin e qytetarëve në ruajtjen e të dhënave personale, përfshirë ketu targën e makinës apo numrin e celularit. Në një konferencë të shumëpritur për shtyp, Prokuroria zbardhi për publikun skemën e rrjedhjes së të dhënave. Kështu mjaftoi aksesi, personat “e duhur”, një USB dhe buuum… shifrat dolën sheshit!
Referuar dosjes hetimore, transferimi i të dhënave është bërë në periudha të ndryshme kohore, nga tetori i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021. Të dhënat dyshohet se janë nxjerrë nga databasa e sistemit CATS. Qirjako është vënë në dijeni të shpërndarjes së pagave në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka konstatuar se data dhe ora e krijimit të file-ve që janë bërë publike përmes WhatsApp-it përkon me të dhënat që i ka dërguar kolegut të saj, Andi Agarajt.
Për këtë ajo ka vënë në dijeni drejtorin e saj, Ervin Muça, ndaj të cilit po zhvillohen hetime në gjendje të lirë. Kryeprokurorja Elizabeta Imeraj paralajmëroi edhe një tjetër hetim, pas publikimit të më shumë se 530 mijë targa të mjetesh të qytetarëve.
“Kemi sekuestruar edhe serverat në DPRSHTR pas daljes së targave”, tha ajo.
Katër të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe korrupsion, ndërsa prokuroria do t’i kërkojë gjykatës që hetimet ndaj tyre të ndiqen nën masën e arrestit me burg.
Shtohet misteri
Një nga të arrestuarit e policisë për skandalin e rrjedhjes së të dhënave, Endri Ikonomi rezulton të punojë për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB-së është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.
Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarësh sipas Forbes dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.
Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA e citon oligarkun rus Oleg Boyko si person me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe në lidhje me krimin e organizuar.