zoom

Aktualitet

Vrasja në Tiranë, Urgjenca Kombëtare: Ambulanca arriti tre minuta pas njoftimit të policisë

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas atentatit të një dite më parë në lidhje me vonesën e ambulancës, që mbërriti në vendin e ngjarjes ku u vra një person në Don Bosko dhe u plagosën katër të tjerë. Në reagimin e saj në rrjetet sociale Urgjenca thekson se sapo ka mbërritur telefonata nga policia, ambulanca është nisur drejt vendit të ngjarjes për të mbërritur në orën 16:16.

“Ditën e djeshme datë 04.01.2022 në zonën Don Bosko fatkeqësisht ndodhi një atentat me pasoja humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ngushëllime familjes dhe uroj shërim të shpejtë të dëmtuarve.

Pranë Njësisë së Koordinimit sapo mbërriti telefonata nga policia është nisur drejt ngjarjes autoambulanca e parë ku mjeku ka konstatuar se njëri nga personat ishte pa shenja jete. Duke qenë se nuk kishte më urgjencë mjerksore është detyrë e policisë së shtetit të verifikojë provat dhe më vonë të urdhëroj largimin nga vendi i ngjarjes së trupit të viktimës.

Kronologjia e ngjarjes vijon si më poshtë. Ambulanca e parë: Ora 16.13 ka mbërritur telefonata nga policia e shtetit. Ora 16.14 është kaluar telefonata ekipit të terrenit. Ora 16.16 ekipi është në vendngjarje dhe mer një pacient të dëmtuar me kod të kuq dhe e shoqëron në spitalin e traumës. Mbërritja në spital në orën 16.19”, thuhet në deklaratë.

Urgjenca Kombëtare shton se ambulanca e parë ka njoftuar se duhen edhe dy ambulanca të tjera dhe menjëherë janë nisur dy ekipe të tjera. Nga ana tjetër njëri nga pacientët është transportuar nga ambulanca e një spitali privat për të cilën QKUM nuk ka dijeni.

“Ekipi i ambulancës së parë njofton se duhen dy ambulanca të tjera dhe për këtë arsye nisen dy ekipe të tjera. Ora 16.22 nisja e tyre. Ora 16.26 mbërritja në vendngjarje. Ora 16.30 mbërritja në spital e pacientit të dytë. Ndërkohë njoftojnë se një pacient është transportuar nga një ambulanc e një spitali privat. QKUM nuk ka dijeni kush e ka njoftuar dhe çfarë oraresh ka kjo ambulanc”, deklaron QKUM.