Aplikacion
Masakra e mbrëmshme në një ndër zonat më të populluara në Tiranë, sipas Metës përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve.
“Dënoj me forcë ngjarjet kriminale të ditëve të fundvitit dhe të ditëve të para të vitit të ri, të ndodhura në disa qytete të vendit, e veçanërisht ngjarjen fatale në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ditën e djeshme, që përfundoi me vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës.
Kjo është rrjedhojë e një sërë aktesh të tjera kriminale, që kanë mbetur të pazbuluara dhe ku autorët nuk janë vënë përpara drejtësisë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen“, shkruan Meta.
Nga të shtënat drejt lokalit në Don Bosko humbi jetën dje Erion Çela. Të plagosur mbetën vëllai i tij Blerim Çela, daja i tyre Edmond Crroj, Arben Dani dhe 19-vjeçari Azbi Selimaj. Sipas grupit hetimor, dyshohet që objektiv i sulmit me armë të ketë qenë Edmond Crroj, daja i dy vëllezërve Çela, viktimës Erion dhe të plagosurit Blerim. I plagosuri tjetër ka qenë në lokal dhe plumbat dyshohet se e kanë kapur rastësisht.