zoom

Aktualitet

Vrasja e 8-vjeçarit në Fier/ Rama: Barbari të marrë dënimin më ekstrem që ekziston

Kryeministri Edi Rama ishte sot në një konferencë për shtyp për të folur lidhur me ngjarjen horror të ndodhur dje në Fier, ku u vra dhe gropos një 8-vjeçar nga Klodian Çalamani.

“Pas ngjarjes tragjike të ditës së djeshme në Fier, e gjithë shoqëria është tronditur por mbi të gjitha mbetet e pa ngushëllueshme për familjen, humbja e vogëlushit Mateo.

Kjo nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen dhe zemrën e nënës dhe babait, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe kapjes nga policia e shtetit, gjendet sot prapa hekurave.

Një nga ato ngjarje që të lë pa fjalë, duke shqyrtuar gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe kështu për të vënë pikën e drejtësisënë këtë episod kaq tronditës.

Vëllazërisht i shpreh ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmëve, të vetëdijshëm që fjalët në një rast si ky janë krejt të pafuqishme, por sidoqoftë fjalët mbeten dhe pjesa tjetër i takon Drejtësisë, e cila në këtë rast duhet të jetë e shpejtë dhe në lartësinë e nevojës së të gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji i Republikës së Shqipërisë.

E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje, dhe kjo është arsyeja që m’u duk më e udhës të bëja një konferencë në prag të nisjes së vizitës në Romë, në bisedimet për thellimin e bashkëpunimit dypalësh me Italinë,” tha Rama.

Ngjarja

“Më shau”, ky ka qenë justifikimi i Klodian Çalamanit për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier. Ai ka rrëfyer para bluve të gjithë skenën e krimit.

38-vjeçari u ka thënë hetuesëve se i mituri e kishte sharë ndaj e kishte goditur me lopatë në kokë dhe trup duke e lënë të vdekur në vend.

Vrasjen e të miturit e ka kryer në oborr pranë portës kryesore e më pas e ka zhvendosur trupin në brendësi për ta mbuluar.

Gjatë procesit të marrjes në pyetje autori ka shfaqur shenja paqëndrueshmërie mendore. Siç kanë deklaruar fqinjët ai ishte përdorues i alkoolit, jetonte vetëm si dhe ishte i papunë.