Aplikacion
Ngritja e tij u shty me dy javë po me dakordësi mes PS e PD, një dakordësi që kapi në befasi deputetët demokratë që nuk ishin deri në atë kohë në dijeni të marrëveshjes që ishte arritur fshehtas tyre mes drejtuesve të dy partive më të mëdha.
Jorida Tabaku e quajti kërkesën për shtyrje si një përpjekje të mazhorancës për të penguar ngritjen e komisionit.
“Nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për të ndryshuar thelbin e asaj që kërkojmë, as nga kërkesa jonë për të shkuar përpara drejtësisë, kushdo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 400 milionë euro,” tha ajo.
Por menjehërë pas saj, i pari Taulan Balla dhe i dyti Gazmend Bardhi nxituan të tregojnë atë se çfarë ishte vendosur fshehtas grupeve parlamentare.
“Kemi komunikuar me PD-në për të detajuar objektin e punës hetimore në Komision. Do të doja që votimi të shtyhet në seancën pasardhëse, me besimin se do ta kemi detajuar plotësisht objektin e hetimit,” tha Balla.
“Biem dakord që votimi i këtij Komisioni të shtyhet për javën tjetër,” tha Bardhi.
Dakordësia PS-PD nuk qe vetëm kaq. Palët kishin rënë në ujdi për të lënë jashtë hetimit parlamentar LSI-në, e cila ka qenë më agresivja deri tani në denoncimin ndaj aferës së inceneratorëve.
Përbërja e Komisionit Hetimor për Mbetjet Urbane do të jetë e tillë:
Jorida Tabaku kryetare, Ermonela Felaj, zv.kryetare,
Anëtarë: Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Etjen Xhafaj, Anila Denaj, Fadil Nasufi, Antoneta Dhima, Besjan Ajazi, Edmond Spaho. Elidon Bushati, Dhurata Çupi, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Fefter Gështenja.
Asnjë nga deputetët nuk është nga radhët e LSI edhe pse në mars të këtij ishte ajo që denoncoi skemën se si zhvateshin paratë e inceneratorit të Elbasanit.
Çuditërisht edhe një kërkesë e Petrit Vasilit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për t’u bërë pjesë, që e disponon Zoom.al, u refuzua. E njëjta kërkesë u refuzua edhe nga Lulzim Basha.
Petrit Vasili publikoi në muajin mars emrat e 8 kompanive, të cilat, sipas tij, i kishin fijet së bashku të lidhura në një pikë: djalin e ish –Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Sipas LSI, këto kompani kishin marrë para për punë fiktive apo jashtë objektit nga kompania “Albtek Energy”që kishte fituar koncesionin 21.6 milionë euro për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.
“– Kompania “Pivot 4” ka marrë 860 mijë euro nga “Albtek Energy”. Gjithë vlerën e marrë nga kjo kompani është shkarkuar në kompaninë e ministrit të vendosur në emër të vëllait të Lefter Kokës;
– Kompania “Sili” ka marrë 456 mijë euro nga “Albtek Energy”
– Kompania “Bellar Inert” ka marrë rreth 430 mijë euro nga “Albtek Energy”
– Kompania “Deto” ka faturuar për “Albtek Energy” rreth 450 mijë euro punime
– Kompania “R.B General Service” ka faturuar për “Albtek Energy” rreth 420 mijë euro
– Kompania “TGV&T-2014” ka faturuar për “Albtek Energy” në vlerë rreth 320 mijë euro
– Kompania “JPY”
– Kompania “Sh-Sh” ka faturuar rreth 120 mijë euro për shërbime të ofruara për “Albtek Energy”, ishte denoncimi i Petrit Vasilit.
Nënkryetari i LSI përmendi me emra edhe pronarët e kompanive, si Arbër Driza, Ardian Bello, Regan Merdani, Shkëlqim Shtylla, apo Stela Gugallja e Klodian Zoto që qëndrojnë pas kompanisë koncesionare.
Në prill të po këtij viti, ishte presidenti Meta që bëri publik disa emra të tjerë që sipas tij qëndronin pas “mafies së inceneratorëve”, përfshirë ish –Ministrin Koka dhe djalin e tij, duke publikuar edhe një një skemë se si lidheshin ata me njëri –tjetrin në aferën e inceneratorëve.
“Lefter Koka, Arben Seferi, Arbër Shtylla, Juri Meraj, Skerdi Bello, Arbër Koka. Këta persona që shihni këtu, janë pjesë e një afere korruptive inceniatorësh, që kërcënojnë çdo anëtar të LSI-së dhe intimidojnë çdo qytetar që mbështet LSI-në. Me Lefter Koken i kam ndërprerë marrëdheniet personalisht për shkak të moralit të tij të uleë politik e njerëzor disa muaj para ndërprerjes së mandateve. Anëtar i mafies së inceneratoreve është edhe Alqi Ballko, kandidat i Rilindjes i 17 në Tiranë, i vendosur në këtë pozicion për të blerë votat.”- denoncoi Meta.
Por pavarësisht denoncimeve në detaje dhe materialeve të tjera që LSI mund të disponojë për të ndihmuar hetimin, ajo është sot jashtë Komisionit Parlamentar që do të hetojë këtë aferë, të cilën ajo e ka çmontuar duke dhënë publikisht hollësi se kush fshihet pas inceneratorëve.
Zëra të ndryshëm në korridoret e politikës thonë se lënia jashtë e LSI ka shtuar dyshimet se dakordësia e pazakontë që shoqëroi ngritjen e komisionit mund t’i ketë rrënjët në një marrëveshje më të thellë mes kryetarëve dy partive të mëdha, që nëpërmjet këtij komisioni të minojnë hetimet që po kryen SPAK për këtë aferë, me qëllimin për të shpëtuar peshqit e mëdhenj, politikanë e biznesmenë që kanë zhvatur miliona euro nga paratë e taksapaguesve dhe për të cilët SPAK mund të ketë gati prangat. /Zoom.al