zoom

Politikë

PD: Ja pse është krizë korrupsioni dhe jo energjitike

Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, nëpërmjet një videomesazhi nga selia blu, tregoi detaje nga menaxhimi i kilovatëve energjetike nga KESH dhe OSHEE.

Sipas saj, Shqipëria ka prodhuar mjaftueshëm energji elektrike për konsumin e brendshëm, por sipas deputetes një sasi e mirë e tyre është shitur nën vlerën reale të tregut.

Ajo thotë ndër të tjera, se krizë energjetike nuk ka, por ka vetëm keqmenaxhim nga ana e qeverisë. Në fund të fjalës së saj, Koti nënvizoi se PD do të bëj kallëzime në SPAK për këtë problematikë dhe shton se koha e padnëshkueshmërisë duhet të marrë fund.

Fjala e plotë e Sorina Kotit:

Me pretekstin e krizës, ditën e djeshme Edi Rama shpalli planin e tij për të marrë 200 milionë euro borxh që OSHEE dhe KESH të vazhdojnë të bëjnë tendera dhe të shpërdorojnë paratë e qytetarëve, siç kanë bërë vitet e fundit e veçanërisht në pranverë e në verë.

Ky borxh i ri, i shoqëruar nga gropat që kjo qeveri ka hapur në financat publike, do të shoqërohet edhe me rritje të përgjithshme të çmimeve të produkteve. E për pasojë papërgjegjshmërinë e pushtetit, do ta paguajnë familjet shqiptare.

Prandaj fjalimi i djeshëm kishte për funksion që Edi Rama të hiqte përgjegjësitë nga vetja dhe kabineti i tij.
Por ja si keqmenaxhohet energjia elektrike; ja si vidhen shqiptarët.

KESH deri në Shtator 2021 ka prodhuar 4.5 Mld KËh
Nëpërmjet OSHEE qytetarët janë furnizuar me 3.2 Mld KËh.

Pjesa tjetër e prodhuar nga KESH, 1.3 Mld kËh është shitur (eksportuar)

Ndërkohë konsumi familjar + biznes ne Shqipëri deri në Shtator 2021 ka qenë 4.6 Mld KËh.

Por qeveria, nuk i ka furnizuar konsumatorët me prodhimin e brendshëm të KESH, por duke importuar energji.

Çmimi i shitjes nga KESH tek OSHEE për konsumatorin është 12 €/ MËh
Ndërsa çmimi i importit është 260 € MËh

Ja pra, që gënjeshtrat e Kryeministrit dalin hapur. Me mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri, ne i plotësojmë nevojat e konsumit të energjisë me prodhimin tonë të brendshëm nga KESH.
Me çmimin e KESH, (për 4 muajt e ardhshëm Shtator-Dhjetor) nga Buxheti i Shtetit do shpenzoheshin 8 Mln €;
Ndërsa me skemën e vjedhjes (nëpërmjet energjisë së importuar) nga Buxheti i Shtetit do harxhohen 150 Mln €.

Pikërisht, për këtë arsye, ne themi që është krizë e manaxhimit të fondeve, e burimeve natyrore, krizë nga korrupsioni dhe absolutisht jo, krizë e energjisë elektrike.

Për të gjitha këto shpërdorime me paratë e qytetarëve, Partia Demokratike do të dorëzojë kallzime penale në SPAK. Këto abuzime me taksat e shqiptarëve duhet të marrin fund, bashkë me pandëshkuesëmërinë që vijon të cënojë besimin te institucionet dhe drejtësia!