zoom

In Zoom

Zjarret në Evropë të qëllimshme? Mediat italiane publikojnë pamjet kur burri i vendos flakën fushës (VIDEO)

Një pjesë e mirë e Evropës është përfshirë nga zjarre të shumta. Turqia, Italia, Spanja, Greqia, por edhe vendi ynë, janë duke u përballur me situata të rënduar të flakëve.

Megjithëse mijëra forca operacionale ndodhen në terren, flakët janë të vështira për t’u shuar e neutralizuar, pasi si aleat kryesor kanë erën, që favorizon përhapjen e saj me shpejtësi. Në Greqi, ishulli Evias, por edhe rajone të tjera janë në një situatë kritike.

Në ishullin në fjalë, banorët janë evakuuar dhe mijëra ha pemë, tokë bujqësore dhe pyje janë shkrumbuar totalisht, e madje, edhe banesat janë përfshirë nga flakët. Situata e rënduar në Itali, shfaqet në Jug të vendit, me zonën e Siçilisë e më gjerë, që para disa javësh u përfshi nga zjarre të shumta. Situata atje paraqitet më e qëndrueshme.

Turqia sakaq, ka pasur një situatë të rënduar. Zonat turistike të Bodrumit, Antalias u përfshinë në flakët, me turistë e banorë që largoheshin të traumatizuar nga vendngjarja. Në Turqi, u regjistruan dhe viktima.

Dyshimet e autoriteteve ishin se zjarret ishin të qëllimshme, të vendosura pra jo prek natyrës, por nga dora e njeriut. E njëjta gjë është thënë shpesh dhe në Shqipëri, nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Policia e Shtetit, njoftoi sot se nga Jugu në Veri, janë arrestuar 15 persona, pasi ndaj tyre, ka fakte e prova konkrete se kanë ndezur me qëllim vatra zjarresh.

Mediat italiane, kanë publikuar një video, të siguruar nga një kamera kurthe, e ku tregohet momenti se si një person vendos me qëllim flakët. Në pamjet në fjalë, shihet një burrë, teksa ecën përgjatë një fushe, që rrethohet nga barë i thatë.

Në një moment, ai ndalon, nxjerr çakmakun nga xhepi dhe i vendos barit flakën. Ai largohet sikur asgjë të mos kishte ndodhur, ndërsa pas, lë masa të mëdha zjarri. Për më shumë ju ftojmë të ndiqni videon e mëposhtme.