Aplikacion
“Është bërë rakordim mes institucioneve të pavarura dhe Ministrisë së Financave në lidhje me propozimet për shtesa e ndryshime në projektligjin e buxhetit,” njoftoi kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka në nisje të mbledhjes. Ajo shtoi se rakordimi me institucionet është bërë në bazë të prioritizimit të nevojave që ato kanë.
Bushka bëri të ditur se shtesat në buxhetin e vitit që vjen nuk përfshijnë kërkesat e institucioneve të drejtësisë për paga të prapambetura që lidhen me statusin e magjistratit, të detyruara nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, pasi këto kërkesa do të adresohen në rialolikim fondesh brenda buxhetit të vitit 2024.
Komisioni i Ligjeve po ashtu propozoi një zgjidhje për adresimin e procesit tranzitor të procesit të vetingut nga institucionet që u përfundon mandati kushtetues në dhjetor 2024, Komisionerë Publikë dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke parashikuar një fond pagash për stafin administrativ të tyre për 6 muaj.
“Komisioni vendosi të miratojë shtesën në zërin e shpenzimeve korrente në vlerën 48.1 milionë lekë, për të përballuar shtesën prej 32 punonjësish administrativë, pjesë e programit buxhetor të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor të Ministrisë së Drejtësisë, për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë,” relatoi deputeti Saimir Hasalla.
Kjo periudhë konsiderohet si tranzitore për kalimin e funksioneve të vetingut. Pranë drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) do të kalojnë kompetencat e Komisionerëve Publike, ndërsa pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ato të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në këtë kontekst, Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesat e këtyre dy institucioneve për shtesë buxheti për stafin shtesë që lidhet me marrjen e kompetencave të reja,
Sipas shifrave që relatoi Hasalla, për SPAK-un u miratuan një fond 100 milionë lekë në zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për të përballuar numrin e plotë të punonjësve dhe 100 milionë lekë në zërin e investimeve, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re dhe urës lidhëse midis dy godinave.
Ndërsa KLGJ-së iu miratua një shtesë në vlerën totale prej 500.4 milionë lekë për shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore për përballimin e shtesës së miratuar prej 133 punonjësish, për projektin dixhitalizim dhe investime në gjykata.
Por kjo shifër ishte shumë larg kërkesës prej 3.2 miliardë lekësh që parashtroi kryetari i ri i këtij këshilli, Ilir Rusi para komisionit.
Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u miratua një shtesë në vlerën 24 milionë lekë për sigurinë kibernetike, një sektor i cili u konsiderua prioritet nga komisioni i ligjeve edhe për institucionet e tjera.
Të gjitha propozimet për shtesat në buxhetet e këtyre institucioneve kalojnë për miratim në Komisionin e Ekonomisë, si komision përgjegjës për buxhetin para se të kalojnë në seancë plenare për votim./ Reporter.al
Adele tërhiqet nga muzika për t’u fokusuar tek familja… dhe ndoshta një fëmijë tjetër